Kosova

Në Podujevë/ Mban maskën vëzhguesi me numër të kandidatit të LDK’së

Një vëzhgues i Lidhjes Demokratike të Kosovës në shkollën “Sami Frashëri” në Podujevë, është parë duke mbajtur maskën me numër të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Nexhmi Rudari.

Këtë e kanë bërë të ditur vëzhguesit e zgjedhjeve, ndërkaq kanë treguar që personi në fjalë është detyruar ta heqë maskën me numrin e kandidatit për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudarit.

Ndërkohë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime.

Në garë për të parin e Podujevës, për një mandat njëvjeçar, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.