Kombëtare

Në Pejë besojnë se ka më shumë të infektuar sesa të dhënat zyrtare të IKShPK-së

Për ta lehtësuar punën e stafit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në të cilin aktualisht janë të shtrirë 73 pacientë me COVID-19, nga java e kaluar pacientë të tjerë të konstatuar me COVID-19 dhe pacientë të dyshuar në bazë të simptomave po marrin terapinë ambulantive të përshkruar nga reparti infektiv dhe i pulmologjisë i këtij spitali, si dhe në ambulancën në fshatin Baran.

Aktualisht, sipas të dhënave, bazuar në testimet e kryera, në Pejë janë rreth 150 raste aktive me COVID-19, por ky numër sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, nuk përkon me realitetin, pasi sipas tij në Pejë ka disa herë më shumë pacientë me COVID-19 sesa që i paraqet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton KOHA.

“Duhet theksuar se numri i terapive të aplikuara për shtatë ditë në QMF-5, është 665 terapi. Prej të cilave vetëm 35 pacientë kanë qenë që kanë rezultuar që janë pozitivë, pra të testuar. Ndërsa, të gjithë të tjerët kanë qenë të dyshuar me COVID-19 ose të konstatuar me COVID-19 në bazë të analizave dhe në bazë të incizimeve radiologjike që janë bërë në Spitalin e përgjithshëm të Pejës”, ka thënë ai.

Sipas Locit, 665 terapi parenterale i kanë marrë mbi 400 pacientë brenda shtatë ditëve në QMF në Fidanishte, e cila për këtë terapi mbulon qytetin dhe fshatrat e Pejës. Derisa 50 pacientë të tjerë kanë marrë këtë terapi në ambulancën në fshatin Baran, që mbulon fshatrat e Lugut të Baranit.

“Po kjo është një gjendje e cila është reale në Komunën e Pejës sa i përket pandemisë me COVID-19. Dhe dita-ditës numri është duke u rritur, ankesat e qytetarëve të cilët paraqiten në qendrat shëndetësore me simptoma që çojnë drejt simptomave të COVID-19, po rritet”, ka shtuar ai.

E në QMF numër 5, ku pacientët me COVID-19 po marrin terapinë parenterale, stafi mjekësor me infermierë, siç thotë Adem Eminaj, njëri prej vetëm tre mjekëve në këtë qendër mjekësore, po përballet shumë vështirë me gjithë atë numër të pacientëve që po marrin terapinë dhe se sipas tij numri i të infektuarve nuk përputhet aspak me realitetin.

“Gjendja është shumë më dramatike. Nuk po flas Pejë, Gjakovë… të dhënat që jepen nëpër televizione, për mendim timin si doktor, nuk janë të larta. Gjendja është shumë ma e keqe”, ka thënë Eminaj.

Madje, numri i të infektuarve në këtë komunë mendohet se është edhe shumë herë më i lartë se 500 raste sa aktualisht marrin terapi, pasi ka mjaft të tjerë që nuk marrin fare terapi, por edhe të tillë që e fshehin infeksionin.

Prej fillimit të pandemisë, bazuar në testime, numri total i të infektuarve në Pejë është 480, ndërsa 20 prej tyre kanë vdekur.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483