KULTURË

Në Panairin online të Librit `Tirana 2020`, përgjysmohen subjektet pjesëmarrëse

Edicioni 23 i Panairit të Librit “Tirana 2020”, për shkak të pandemisë Covid 19, do të zhvendoset nga Pallati i Kongreseve në platformat online.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, tregon risitë me të cilat janë përshtatur botuesit për të promovuar titujt e rinj në shqip edhe në gjuhë të huaj.

“Shoqata e Botuesve vendosi që të mos e ndërpresë rrjedhën e këtij aktiviteti që ne e presim me padurim në të gjithë Shqipërinë, përveç librarive që janë në aktivitet të plotë në këtë vit do të shesin libra edhe shtëpitë botuese”, thotë Petrit Ymeri.

Ndonëse, një vit më parë morën pjesë rreth 100 pavijone ekspozuese, në këtë vit mungojnë botuesit nga trevat e tjera shqipfolëse, ndërsa numri i pjesëmarrësve është rreth 50.

“Nuk kemi pjesëmarrje fizike nga botuesit e Kosovës, por ata do të jenë online me ne”, thotë Ymeri.

Gjatë ditëve të Panairit, deri ditën e diel datë 15 nëntor në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Panairit, duke respektuar rregullat e protokollit të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për pandeminë covid do të organizohen dhe disa aktivitete, që kanë në vëmendje letërsinë shqipe dhe promovimet e titujve të rinj.

“Çmimet janë ato që kanë qenë vitin e kaluar. ‘Autori më i mirë, ‘Përkthyesi më i mirë’ edhe çmimi i ‘Letërsisë për fëmijë’. Mendoj se pjesa më e madhe e librave ka ardhur. Janë libra që kanë qarkulluar”, shprehet kryetarja e jurisë së çmimeve të Panairit, Diana Kastrati.

Sa i përket buxhetit, Qendra Kombëtare e Librit edhe Leximit ka mbështetur me 700 mln lekë, ndërsa sipas burimeve Bashkia e Tiranës me 2 mln e 500 mijë lekë./shqiptarja.