Kosova

Në një spital në Prishtinë, infermierja akuzohet se rrahu fëmijën e porsalindur

Babai Fisnik Bujupi ka akuzuar një infermiere në një spital privat në Prishtinë se ia ka rrahur foshnjën e porsalindur dhe e ka grithur në fytyrë.

Bujupi ka postuar fotografi të foshnjës dhe motrës medicinale, si dhe një video ku shihet edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Megjithatë, motra Shukrane Maloku ka mohuar akuzat e babait. Ajo thotë se ka qenë duke ia ndërruar pelenën foshnjës në momentin kur prindi ka filluar akuzat.

“Nuk është aspak e vërtetë. Kam qenë duke ia ndërruar pelenën foshnjës dhe në këtë moment ka ardhur ai duke më akuzuar ‘pse e rrahe beben, pse ja bëre kështu’. Nuk dija asgjë për çfarë fliste”, ka deklaruar Maloku për Indeksonline.

Ajo tregon se pas kësaj ngjarje ka shkuar në dhomën e nënës së foshnjës, për të cilën thotë se nga mëngjesi deri në ora 6 pasdite kur ka ndodhur rasti, i ka ndihmuar për gjetjen e qumështit.

“Nëna më tha mos ta ndien se burri është pak i stresuar dhe nervoz. Në prezencë kanë qenë edhe familjarët e saj dhe vëllai i saj më ka kërkuar të shkoj në shtëpi se do ta zgjidhin vet këtë problem. Edhe ai tha se dhëndri i tyre nuk është mirë dhe është nervoz”, ka deklaruar Maloku.

Ajo thotë se Bujupi e ka kërcënuar me jetë nëse do të shkonte në shtëpi.

“Më ka kërcënuar se si të dal nga spitali do të më vrasë. Prandaj kam vazhdu me ndejt në spital dhe pastaj ka thirrur Policinë dhe hetuesinë”, ka thënë ajo.

Infermierja thotë se gërvishtja në fytyrën e foshnjës ka ndodhur pas akuzave të babait. Ajo e akuzon Bujupin se është i sëmurë mental dhe thotë se do të kërkojë dënimin e tij për shkak të shkeljes së privatësisë duke publikuar fotografitë e saj.

Në anën tjetër Spitali “Lindja” ku ka ndodhur rasti, duke dashur të mos ndikojnë në pavarësinë e hetimeve të Policisë, kanë thënë se nuk do të deklarohen për rastin derisa të dalin rezultatet e hetimeve.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.