OPINION

Në një botë të zhurmshme digjitale, si të dëgjohet zëri yt i marketingut?

Shkruan: Gentian GAShI

Gjatë historisë, njeriu është përballur me epidemi të shumta. Katastrofat e kësaj natyre, ishin fatale për shumë individë dhe sfiduan seriozisht ekzistencën e qenies njerëzore!

Kjo për arsye se epidemitë nuk janë vetëm katastrofa mjekësore por sepse ndikimi i tyre është zingjiror në pothuajse secilën pjesë të sistemit!

Avancimi i njeriut, sidomos ai teknologjik, ka bërë që lufta kundër epidemive të jetë më efikase, dhe më e fuqishme. Mirëpo, ironikisht, teknologjia duke qenë mjet për luftimin e epidemive, është shndërruar njëkohësisht edhe vet në një të tillë-në një epidemi sociale.

Sot është pothuajse e pamundur të  takosh dikë që në gjepin e tij nuk ka një telefon të mençur.  Qasja e madhe në mjetet teknologjike të mençura, ka shkaktuar një epidemi sociale, që për pasojë ka varësinë ndaj këtyre mjeteve. Shumë individë e kanë të pamundur të bëjnë dallimin midis pajisjeve teknologjike dhe gjymtyrëve të trupit të tyre, sepse ato janë bërë  pjesë sinjifikante të tërësisë trupore e mendore të quajtur njeri. Të jesh njeri modern, do thotë të jesh «njeri digjital».

Duke e pasur parasysh këtë kontekst, duke e pranuar botën si nje ambient digjital, ekspertët e marketingut, kanë gjetur  mënyra të ndryshme për të përdorur këtë ndërlidhjen njeri-teknologji, në forma produktive duke i ekspozuar produktet e ndryshme në shoqëri. Duke qenë se të gjithë bizneset jetojnë e notojnë në një oqean të madh teknologjik, reklama, mesazhi i biznesit, duhet të jetë më ndryshe, të ketë diçka tjetër, që të arrij te konsumatori. Që të dallohet nga konkurrenca.

Pra, si të dëgjohet zëri yt i marketingut, në një botë të zhurmshme digjitale?

Fillimisht, secili biznes duhet të ketë të qartë se jo çdo kush është konsumator potencial. Pra, duhet të bëhet targetimi i konsumatorëve ideal. Për këtë, secili biznes duhet të bëj një listë me pyetje që mund t`i ndihmojnë të arrij te konsumatori i duhur;

  1. Kush është konsumatori yt?
  2. Cilat probleme të konsumatorit mund t`i zgjidh produkti yt?
  3. Ku kalon kohë më së shumti konsumatori ideal?
  4. Cila është mënyra më e mirë e kontaktit me konsumatorin?

Pasi këto pyetje të kenë marrë përgjigje, atëherë mesazhi i marketingut duhet të stoliset e ndërtohet në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që të arrij te konsumatori. Kjo ndodh kur mesazhi përcillet përmes ngjarjeve ose historive, këto teknika të vërtetuara se arrijnë të ndikojnë te konsumatori.

«Na ishte njëherë…» dhe e gjithë vëmendja drejtohet aty, sepse njeriu është automatikisht e gjenetikisht i programuar të kushtoj vëmendje tek ngjarjet/historitë, sepse ato kanë fuqinë historike të transmetimit të mesazheve në një formë më argëtuese, dhe lehtë të absorbueshme për trurin e njeriut.

Që mesazhi yt i marketingut të arrij të konsumatori, duhet të ndërtohet një ngjarje me tri pyetje bazike;

  1. Çka dëshiron konsumatori?
  2. Kush ose çfarë po e pengon konsumatorin të marrë atë që dëshiron?
  3. Çfarë humbë konsumatori nëse nuk e merr atë që e dëshiron?

Çka dëshiron konsumatori?– Kur të ndërtoni ndonjë ngjarje, gjithmonë provoni të vendosni veten në këpucët e konsumatorit dhe pyesni veten se çfarë dëshiron ai më së shumti nga produkti yt. Çka përfiton konsumatori nga produkti yt?

Listoni benefitet kryesore të konsumatorit, dhe fokusoni mesazhin tuaj të marketingut në njërën nga këto benefitet kryesore?

Kush ose çfarë po e pengon konsumatorin të marrë atë që dëshiron?-  Kur të arrini në këtë fazë, përdorni produktin tuaj si një armë shkatërruese për atë që po e pengon konsumatorin të marrë atë që dëshiron. Produkti juaj duhet të jetë një kundër reagim, një armë kundër penguesve të qëllimit të konsumatorit. Mundohuni të personalizoni dhe t`i bëni sa më të qartë këta pengues.

Çfarë humbë konsumatori nëse nuk e merr atë që e dëshiron?- Humbja duhet të jetë shumë e madhe dhe të lërë gjurmë në jetën e konsumatorit, nëse ai/ajo nuk e merr atë që dëshiron. Pra humbja duhet të jetë e dukshme, e vizualizuar dhe konsumatori duhet të jetë i vetëdijshëm për humbjen dhe pasojat e humbjes.

Pasi këto pyetje të kenë marrë përgjigje adekuate, duhet që mesazhi të jetë me zë, të jetë në formën e një historie-suksesi është i garantuar në botën digjitale.