Kombëtare

Në Mitrovicë kundërshtojnë vendimin për të ndaluar lëvizjen, e vlerësojnë veprim dëshpërimi

Në Mitrovicë të jugut është ndaluar qarkullimi i njerëzve prej orës 21:00 deri në pesë të mëngjesit. Është kjo prej masave që i ka marrë Qeveria e Kosovës të hënën, në kuadër të luftës ndaj përhapjes së koronavirusit.

Por vendimin për karantinimin e Mitrovicës e kanë kundërshtuar drejtues të këtij qyteti. Të hënën pasdite kanë reaguar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari, Faruk Mujka. Të dy janë anëtarë të Vetëvendosjes.

Qeveria e Kosovës ka miratuar disa vendime për masat në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19. Ndër të tjera është kufizuar lëvizja gjatë natës në Mitrovicë të jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Në komuna tjera, duke përfshirë Prishtinën, kjo masë ishte në fuqi prej ditësh.

Agim Bahtiri ka njoftuar se zyrtarisht i është drejtuar me kërkesë kryeministrit Avdullah Hoti për të mos shpallur karantinimin në Mitrovicë. Kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga Qeveria.

“Ky vendim nuk është adekuat për luftimin e koronavirusit dhe si i tillë më shumë do të sjellë pasoja se rezultat, pasi që kështu do të goditen shumë rëndë bizneset që operojnë në Mitrovicë, të cilat edhe ashtu janë të rraskapitura nga pandemia. Një vendim i ngutshëm si ky besoj se është i dëmshëm për ekonominë dhe jo produktiv për luftimin e COVID-19”, ka shkruar Bahtiri.

Ai ka paralajmëruar një qëndrim rreth kësaj çështje, pasi të mblidhet shtabi emergjent komunal, të martën.

Nënkryetari Faruk Mujka e ka quajtur vendimin si dëshpërues. Ai ka thënë se ai nuk është i bazuar në informata.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë dhe vendimet e ditëve të fundit, janë vendime dhe veprime dëshpërimi, në mungesë të informatave të sakta mbi situatën aktuale, por edhe të strategjisë së qartë dalëse nga gjendja në të cilën jemi. Për vendimet e fundit Qeveria nuk na ka kontaktuar dhe nuk na ka konsultuar fare, së paku duke e ditur se barra e zbatimit do të bie kryekëput në institucionet lokale”, ka shkruar Mujka. Ai ka vlerësuar se vendimet e fundit nuk janë të ligjshme dhe të logjikshme.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483