Kosova

Në KQZ arrijnë edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora – VV-ja kërkon numërimin e tyre

Procesi i certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve të 6 tetorit me sa duket nuk do të marrë fund shpejt.

Kjo për faktin se në Komisionin Qendror Zgjedhor, këtë muaj kanë arritur edhe disa pako me fletëvotime nga diaspora. Janë gjithsejtë 392 pako që raportohet të kenë arritur në KQZ më 12 nëntor.

Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur ankesë në PZAP në lidhje me pranimin e këtyre votave, dhe këtë kjo parti e bazon në aktgjykimin e Gjykatës Supreme për pranimin dhe numërimin e fletëvotimeve të mëhershme që kanë ardhur me vonesë nga diaspora.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka konfirmuar për Koha.net se kanë pranuar një kërkesë nga PZAP-ja rreth kësaj çështjeje, ndërsa ka theksuar se i kanë kthyer përgjigje, pa treguar për epilogun.

“Mund t’ju konfirmoj se KQZ-ja i ka kthyer përgjigje PZAP-së ku i kemi shpjeguar si qëndron puna me këto pako që janë pranuar më 12 nëntor”, ka thënë Elezi, duke shtuar se aktualisht nuk ka diçka tjetër për këtë çështje, raporton Koha.net.

Mulë Desku nga PZAP-ja ka konfirmuar se VV-ja ka parashtruar ankesë për këtë çështje.

“LVV ka parashtruar ankesë në PZAP dhe kërkon nga PZAP-ja që në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të urdhërojë KQZ-në që të numërohen 392 pako të fletëvotimeve të ardhura nga diaspora”, ka thënë Desku për Koha.net.

Ai ka thënë se VV-ja ankesën në PZAP e ka parashtruar këtë të premte rreth orës 17:30.

Të kontaktuar nga Koha.net, nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë konfirmuar ankesën, duke mos dashur të japin detaje.

Në ndërkohë, ka reaguar edhe zyrtari i LDK-së, Florian Dushi, i cili ka thënë se tashmë është krijuar precedent nga ana e Gjykatës Supreme mbi pranimin e votave përmes postës, edhe kur ato vijnë pas ditës së zgjedhjeve

“Precedenti i krijuar nga ana e Gjykatës Supreme, në kundërshtim flagrant me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, mbi pranimin e votave përmes postës, edhe kur ato vijnë pas ditës së zgjedhjeve, po vazhdon të krijojë probleme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor në përgjithësi, sepse, fletëvotime të tilla po vazhdojnë të arrijnë në Kosovë edhe pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, thotë Dushi.

Sipas tij, ardhja e këtyre votave pas ditës së zgjedhjeve, madje edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, e bëjnë këtë proces “tërësisht të dyshimtë” për faktin se “ato po arrijnë në Kosovës pas njohjes së partive politike me rezultatet dhe nevojat e tyre për vota”.

Kujtojmë se KQZ-ja, më 7 nëntor shpalli rezultatet finale të zgjedhjeve të 6 tetorit. Me këtë rezultat, koalicioni Nisma-AKR-PD mbetën jashtë Kuvendit, ndërsa më pas parashtruan ankesë që votat e ardhura nga Serbia të hiqeshin nga rezultati final. Kjo ankesë u miratua, dhe ky koalicion tanimë e kishte kaluar pragun.

Por, pati ankesa edhe nga partitë tjera për rinumërim të mbi 1400 vendvotimeve, ankesa të cilat u aprovuan dhe procesi i rinumërimit po vazhdon tash e rreth 10 ditë.