EKONOMI

Në Kosovë u mbajt edicioni i dytë i Konventës së Prodhuesve

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ju falënderon për pjesëmarrjen në edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës.
Synimi kryesor i Konventës ishte diskutimi i hapur rreth temave të cilat ndikojnë në fuqizimin e prodhuesve dhe që rrisin konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Kosova”.

Edicioni i dytë i Konventës u fokusua tregtinë rajonale, në digjitalizimin e sektorit të prodhimit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si shtytës të zhvillimit ekonomik.
Kjo konventë mblodhi shumë kompani prodhuese nga vendi dhe u përdor si një platformë për diskutim mbi bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Ky edicion u sponsorizua nga projekti për Promovimin e  Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), ProCredit Bank, Banka Botërore / Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), dhe u mbështet nga Forumi Ekonomik Mbarë- Shqiptarë. Partner këta që me punën e tyre në vazhdimësi kanë përkrahur sektorin e prodhimit në Kosovë.

Presidenti i Klubit të Prodhuesve z.Bashkim Osmani në fjalën e tij hyrëse në Konventën e Prodhuesve të Kosovës u shpreh që Klubi i Prodhuesve do të vazhdojë të jetë një partner i institucioneve tona dhe do të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

Po ashtu ai u shpreh që Klubi i Prodhuesve të Kosovës është për lëvizje të lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Ai përmendi një sërë temash që ja adresoi qeverisë së re dhe kërkoi përkrahjen e prodhimit nga qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e Konventës dhe u shpreh mirënjohës për punën tejet të rëndësishme në promovimin e prodhuesve dhe produkteve vendore.

Ai theksoi që prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë, dhe përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballen e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, prodhuesit kanë vendosur që të investojnë dhe të punojnë në Kosovë.

”Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete.”

Ai gjatë fjalimi të tij u fokusua në tri çështje, në programin qeverisës në mbështetje të prodhuesve vendor; në reciprocitetin tregtar dhe ekonomik; si dhe në nevojën për prodhime vendore.

Astrit Panxha- Drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve në fjalën e tij shpalosi programin e Klubit të Prodhuesve për këtë vit dhe u shpreh që fokusi kryesor do të jetë në arsimin dhe aftësimin profesional, tërheqja e investimeve të huaja si dhe rendësi të veçantë i dha edhe vazhdimit të promovimit të brendit MADE in KOSOVA, si brend që Klubi ka filluar si iniciativë dhe me shumë krenari ka filluar të promovohet gjithandej.

Ndërsa, Visar Perani zyrtar i vendit në Kosovë nga IFC, shpalosi për të pranishmit programet që IFC ka për fuqizimin e prodhimit në vend, ku u shpreh që prodhuesit janë zemra e zhvillimit ekonomik në vend. Ai përmendi që avantazhet ka Kosova nga vendet e rajonit, si pozita e mirë gjeografike, kostoja e lirë e prodhimit, fuqia punëtore dhe MSA-ja nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm.

Po ashtu gjatë Konventës së Prodhuesve të Kosovës u bë edhe nënshkrimi i Kodit të Bizneseve kundër Korrupsionit, ku anëtarët e Klubit të Prodhuesve bënë edhe nënshkrimin formal të këtij Kodi.

Nëpërmjet këtij Kodi, anëtarët e Klubit të Prodhuesve u zotuan se do të zbatojnë standardet më të avancuara të etikës, transparencës dhe të integritetit në aktivitete e tyre biznesore, se do të shmangin me vendosmëri çdo formë të përfshirjes në raste të korrupsionit, ofrimit të dhuratave apo favoreve tjera zyrtarëve publik apo personave tjerë zyrtarë apo privat që kanë për qëllim sigurimin e privilegjeve apo përfitim të paligjshëm në favor të kompanisë.

Në panelin e parë të edicionit të Dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës u diskutua për tregtinë rajonale. Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan trysni pozitive për të gjitha institucionet për heqjen e të gjitha barrierave tarifore dhe jo tarifore, dhe që kjo temë do të duhet të vazhdojë të jetë në agjendën e përgjithshme të qeverive. Gjithashtu kërkuan që në mbledhjet e qeverive të ketë edhe përfaqësues të bizneseve, ku zëri i tyre të dëgjohet më mirë.

Po ashtu ata kërkuan bashkëpunimin më të madh në mes të tyre dhe i ftuan ata në harmonizimin e politikave ekonomike rajonale.

Gjatë edicionit të dytë të Konventës u bë edhe në nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Klubit të Prodhuesve dhe Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC).

Paneli i dytë në Konventën e Prodhuesve diskutoi mbi Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë, si një element kyç në integrimin ekonomik ndërkombëtar. U theksua që kompanitë kosovare janë të zhvilluara dhe kanë potencial, por fatkeqësisht duhet të punohet në përmirësimin e imazhit të vendit tek investitorëve të huaj. Penalistët po ashtu theksuan që duhet të jemi të qartë artikulimin e ofertës ose në atë që Kosova ofron me kapacitetet e saj, për të gjithë investitorët e jashtëm.

Panel i radhës në konventën e Prodhuesve diskutoi mbi procedurat e falimentimit dhe përfitimet nga reformat e falimentimit në Kosovë, ku dhe u bë prezantim i programit për zgjidhjen e borxheve nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC).

Gjatë panelit u diskutua se cilat janë procedurat ose çka ndodh kur një kompani has në vështirësi dhe probleme financiare.

Në panelin e fundit të diskutimit në Konventën e Prodhuesve u diskutua për rëndësinë e marketingut dhe prezencës digjitale dhe pse bizneset duhet të rrisin qasjen e tyre edhe në forma të tjera të marketingut përveç atyre tradicionaleve. U tha që format digjitale të marketingut janë shumë të favorshme dhe të domosdoshme për bizneset.