SPORT

Në Kosovë kërkojnë të lejohen edhe shikuesit

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, në një konferencë për shtyp të hënën ka njoftuar se shikuesit do të lejohen në ngjarje sportive pas përmirësimit të ndjeshëm të rasteve me koronavirus dhe masave lehtësuese në këtë vend.

Ka mbetur të përcaktohet vetëm numri i tifozëve që do të lejohen nëpër stadiume të shtunën, kur edhe Liga e Malit të Zi në futboll do ta vazhdojë kampionatin e pezulluar muaj më parë shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19, meqë është vendi i parë në Evropë që nuk ka asnjë rast aktiv aktualisht.

Në Kosovë kërkojnë të ndiqet shembulli i Malit të Zi – të lejohen edhe shikuesit

Është thënë se mund të lejohen deri në një mijë shikues, e që në Kosovë në shumicën e ndeshjeve aq edhe ka qenë numri i tyre në tribuna para pezullimit të garave. Edhe në Kosovë  zyrtarët e klubeve, trajnerët dhe lojtarët kërkojnë ta ndjekin shembullin e Malit të Zi. Madje në Kosovë numri i të infektuarve ka rënë ndjeshëm dhe se ka nisur zbutja e masave. I pari që ka hedhur publikisht idenë që të lejohen shikuesit të kthehen në tribuna është trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Batatina edhe tash mendon se Kosova ka kushte që ndeshjet e Superligës të lejohen të luhen me praninë e një numri të kufizuar të shikuesve në tribuna. “Na duhet ta shohim dhe ta analizojmë si shtet, sepse jemi vendi që është prekur më së paku nga COVID-19. Unë mendoj se duhet të shqyrtohet dhe të reflektohet pozitivisht që shikuesit t’u kthehen tribunave, sepse pa shikues nuk ka as motiv dhe nuk do të jetë futbolli si ishte më parë. Ne kemi mundësi, sepse kemi edhe tribuna të mira”, ka insistuar Batatina.

Se duhet të merren shembuj nga vendet e tjera e në veçanti të rajonit, e thotë edhe trajneri i kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikelit, Afrim Tovërlani. “Le ta shqyrtojnë këtë gjë FFK-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Po bëhem i tepërt, por nga fillimi kam thënë që ishte një mashtrim global. Një grip i cili ka mbytur njerëzit në moshë dhe me sëmundje përcjellëse. Kuptohet që pa shkues nuk është bukuria e njëjtë dhe do të jetë më zymtë. Vështirë do të jetë të respektohet në tribuna distanca, por mirë është të shqyrtohet dhe të merret shembull ndonjë vend”, ka theksuar Tovërlani.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483