Bota

Në Korenë e Jugut arrestohet një i huaj, për shkak se i shkeli rregullat e karantinës

Policia e Koresë së Jugut ka arrestuar për herë të parë një shtetas të huaj për shkeljen e rregullit të karantinës së detyrueshme 14-ditore,si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, shkruan agjencia Reuters.

Autoritetet jug-koreane janë duke iu frikësuar një vale të dytë të koronavirusit të ri. Arrestimi i një japonezi 23-vjeçar është i pari i një shtetasi të huaj në këtë vend, ndonëse Korea e Jugut më herët kishte arrestuar katër jug-koreanë, përfshirë dy nga Seouli, siç ka njoftuar policia.

Personi ishte futur në Kore të Jugut më 2 maj me vizë pune dhe, pasi rezultoi negativ në testin për koronavirus në aeroport, u detyrua të vetizolohej për dy javë, një masë e detyrueshme për të gjithë që vijnë nga vendet tjera.

Policia ka treguar se nga video-xhirimet dhe nga transaksionet me kartelë është dëshmuar se 23-vjeçari kishte thyer rregullin e karantinës në tetë nga 14 ditët. Ai madje kishte vizituar edhe restorante dhe kafene.

Japonezi, që do të përballet me gjyq, është duke u mbajtur në stacion policor dhe së shpejti do të dërgohet në qendër të paraburgimit, është njoftuar nga zyrtarët.

Në fund të marsit, nga Ministria e Shëndetësisë e Koresë së Jugut është paralajmëruar se do të depërtohen të huajt dhe qytetarët jug-koreanë do të përballen me burg në rast se thyejnë rregullin e karantinës, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Pas javëve pa raste të reja vendore me koronavirus, Korea e Jugut zbuti masat kufizuese më 6 maj, por menjëherë u rrit numri i rasteve me infeksion të lidhura me një lagje të klubeve të natës në Seoul.

Shkollat janë rihapur të mërkurën pasi fillimi i semestrit pranveror ishte shtyrë disa herë që nga marsi. Por, zbulimi i rasteve të reja te dy nxënës kanë detyruar 75 shkolla të larta që të kthejnë nxënësit në shtëpi.

Korea e Jugut ka raportuar për total 11.122 raste me infeksion dhe 264 të vdekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.