EKONOMI

Në KEK, punë gjen ish-këshilltari i Veselit e djali i këshilltarit të Thaçit

Në një prej përgjimeve të dala nga afera “Pronto”, ishte edhe një bisedë mes ish-shefit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovcit, dhe Fadil Fazliut, zyrtar nga Lëvizja për Bashkim.

Fazliut i interesonin raportet e Grabovcit me Arsim Bajramin, pasi djali i tij kishte një provim te Bajrami, për ta mbërritur kushtin, raporton KTV.

Vite më vonë, KTV-ja ka biseduar me Fazliun përmes telefonit dhe ai ka thënë se Grabovci nuk kishte kryer punë.

Djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, është punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës si zyrtar ligjor dhe babai i tij thotë se kjo është bërë me meritë dhe nuk ka kërkuar ndihmën e askujt.

Vetë Fazliu, si pjesë e LB-së, kishte garuar bashkë në një listë me PDK-në, por edhe djali i tij, si duket, ka nja simpati për të parin e kësaj partie, Kadri Veselin, siç e tregon edhe një rrjete sociale.

Nga kabineti i Veselit, në një pozitë të rëndësishme në KEK kishte shkuar edhe një tjetër zyrtar i PDK-së.

Sekretar i Korporatës Energjetike të Kosovës është bërë Lulzim Zeqiri, kandidat i PDK-së për Asamblenë komunale në Mitrovicën e Jugut, e më vonë këshilltar i Kadri Veselit.

KTV-ja ka kontaktuar me Zeqirin, por i njëjti nuk ka dashur të flasë për procedurat e punësimit të tij në këtë pozitë, duke sugjeruar që për këtë të kontaktohet me burimet njerëzore.

Në zyrën për Tarifa dhe çështje rregullative të KEK-ut, vend është bërë edhe për Orges Sylën, djalin e Ismail Sylës, aktualisht këshilltar politik i Presidentit Thaçi.

që së voni është parë në shoqëri të presidentit Thaçi dhe shefit e stafit, Bekim Çollaku, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit drejtuar atij, e as nuk është lajmëruar në numrin e zyrës.

Televizioni ka siguruar edhe një sërë emrash të aktivistëve të PDK-së, që së voni janë punësuar në Korporatën e Energjetike të Kosovës.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës, KTV-ja nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht se pyetjet për këtë temë janë dërguar në fillim të javës.