Bota

Në Izrael fiton Netanyahu

Benjamin Netanyahu e shpalli fitoren në Izrael.

Kryeministri i Izraelit, Netanyahu, e ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare, ndonëse ende nuk është publikuar rezultati zyrtar. Sipas rezultateve të hershme, ai e ka një epërsi të vogël ndaj rivalit kryesor, Benny Gantz.

Pas numërimit të rreth 25 për qind të rezultateve, partia Likud e Netanyahu-t i ka marrë 28.73 për qind të votave, ndërsa partia Kaltër e Bardhë e Gantz-it 23.26 për qind. Këto shifra i dha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e së hënës ishin të tretat për këtë shtet brenda një periudhe më të shkurtër se një vit. Në dy palë zgjedhjet e kaluara, asnjëri nga dy politikanët me më së shumti vota nuk arriti të sigurojë shumicë në kuvendin me 120 ulëse.

Netanyahu, tashmë 70 vjeç, është kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit. Ai po e kërkon mandatin e pestë, ndërsa në pushtet fillimisht ka qenë nga viti 1996 deri në vitin 1999 e pastaj përsëri nga viti 2009.

Sipas anketave, asnjëra prej dy partive të para nuk do të arrijë të sigurojë një fitore bindëse, që do t’ia mundësonte krijimin më të lehtë të koalicionit të ri qeveritar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, pritet që partia e kryeministrit të deritashëm t’i sigurojë tri deri në pesë ulëse më shumë se rivalja kryesore e opozitës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.