Bota

Në Hong Kong protestuesit kërkojnë tërheqjen e Ligjit për ekstradim

Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Hong Kong-ut duke shprehur zemërimin për një projektligj që do të lejonte ekstradimin në gjykatat në Kinë të personave të akuzuar për krime.

Protestuesit, disa të veshur me maskë fytyre dhe helmeta, bllokuan rrugët kyçe rreth ndërtesave qeveritare.

Policia u angazhua për të shpërndarë protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës.

“Kjo sjellje ka tejkaluar fushëveprimin e tubimeve paqësore”, tha policia e Hong Kongut.

“Ne i bëjmë thirrje protestuesve të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur, përndryshe ne do të përdorim forcën e duhur”,tha policia.

Matthew Cheung, administrator ekzekutiv i Hong Kongut, u kërkoi protestuesve të ndalonin zaptimin e rrugëve kryesore dhe të shpërndaheshin sa më shpejt që ishte e mundur.

Ai tha se projektligji i propozuar synon ekstradimin vetëm të arratisurve të përfshirë në krime të rënda.

Kritikët e projektligjit përmendin përdorimin e supozuar të torturës në sistemin gjyqësor kinez.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Legjislativ në Hong Kong e ka shtyrë leximin e dytë të projektligjit.

Ky Këshill kontrollohet nga forca politike që janë pro-Pekinit.

Pavarësisht protestave, qeveria ka thënë se do të vazhdojë planet për të lejuar ekstradimin në Kinë.

Një votim përfundimtar pritet të ndodhë më 20 qershor.

Hong Kongu ishte një koloni britanike nga vitit 1841 derisa sovraniteti u kthye në Kinë më 1997.

Kushti për dorëzim të sovranitetit ishte marrëveshja e Ligjit Themelor, një min-kushtetutë që i jep Hong Kongut autonominë e gjerë.

Sipas parimit “një shtet, dy sisteme”, Hong Kong ka mbajtur pavarësinë gjyqësore, legjislaturën e vet, sistemin e tij ekonomik dhe monedhën.

Pekini ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.

Megjithatë, Ligji themelor skadon në vitin 2047 dhe çfarë do të ndodh me autonominë e Hong Kongut mbetet e paqartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.