KULTURË

Në GKK u hap ekspozitë me veprat e piktorit të ndjerë, Arian Berisha

Nëpërmjet artit, Arian Berisha, kishte krijuar hapësirën e mbretërisë së kafshës më të dashur shtëpiake.

“Ne ishim të bllokuar në banesat tona gjatë luftës. Shikoja nga dritarja dhe shihja shumë mace. Ato po e shijonin lirinë që kishin. Nuk kishin identitet dhe s’u vinte rreziku nga forcat policore serbe.”, janë këto fjalët e piktorit të ndjerë, në nderim të të cilit u hap ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Macet e shfaqura në këto tablo janë tema e ekspozitës së titulluar “Mbretëria e maceve”.

Pikturat dhe vizatimet e Berishës, i cili vdiq në vitin 2015, përshkruajnë forma që nuk prodhohen nga bota e dukshme, por nga ndjenja dhe përjetimi i ngjarjeve.

“Mendoj se Ariani ishte artist i madh. Gjatë njohjes më të, menjëherë u impresionova nga vizatimet dhe piktura e tij. U mahnita kur zbulova se në studion e tij të vogël krijonte këto piktura të mëdha. Askush nuk e pikturoi luftën në Kosovë ashtu siç bëri Ariani. Besoj se arti i tij do të jetë dokumentimi i fundit krijues i asaj periudhe dhe sot e zë vendin e tij në historinë e artit të Kosovës”, ka thënë James Walmsley.

Veprat e Berishës vlerësohen për motivet e një jete gjithnjë në lëvizje, agresive, konfuze dhe pasiononte.

Pjesë e ekspozitës, që do të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është edhe dokumentari që pasqyron veprimtarinë e Arian Berishës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.