Bota

Në Gjermani zbulohet grupi që i trajnonte civilët për luftë

Një rrjet elit i luftëtarëve në Gjermani, i cili besohet të ketë lidhje me qarqet sekrete të së djathtës ekstreme, është zbuluar duke trajnuar civilë për konflikte të armatosura, duke ngjallur frikë se ata po e planifikonin ndërtimin e një njësiti paramilitar.

Në pamjet e bëra me dron shihen disa persona të armatosur në qytetin Mosbach, të cilët lëvizin në grup në një terren me rërë. Ata gjithashtu shihen duke i mbajtur pushkët në pozicion sulmues.

Ekspertët e intervistuar nga transmetuesi publik gjerman, pasi i panë këto pamje, thanë se këto ushtrime përbëjnë trajnime për luftë. Këto ushtrime janë të ndaluara me ligj në Gjermani, nëse nuk kryhen nga pjesëtarë të ushtrisë, policia apo kompanitë private të sigurimeve, të mbikëqyrura nga autoritetet shtetërore.

Ushtrimet në Mosbach u organizuan nga grupi “Uniter”, i cili është një rrjet privat për përkrahje, i përbërë nga ish-ushtarakë dhe ushtarakë aktivë. Këto ushtrime ishin bërë pikërisht në kohën kur politikat e kancelares Merkel për refugjatët ishin bërë temë kryesore e debatit kombëtar në Gjermani.

Autoritetet gjermane janë duke i hetuar disa raste të dyshimta për organizim të sulmeve. Prokurori i shtetit është duke i hetuar një avokat dhe polic, të cilët dyshohen se e kishin planifikuar vrasjen e përfaqësuesve të së majtës, shkruan “The Guardian”, transmeton Kosova.info.