Në Ferizaj bllokohet rruga e lagjes, shkak ndërtimi i një objekti

Banorët e një lagjeje në Ferizaj po kundërshtojnë ndërtimin e një objekti shumëkatësh, i cili, sipas tyre, por ua rrezikon jetën dhe vështirëson edhe frymëmarrjen. Madje sot ata edhe bllokuan rrugën e lagjes “Gëzim Sahiti”. Por nga investitori, që po e bën këtë objekt, u tha se gjithçka po shkon sipas lejes së lëshuar nga komuna.

Pakënaqësia me ndërtimin e një godine shumëkatëshe ka nxjerrë sërish në protestë banorët e lagjes “Gëzim Sahiti” nga Ferizaj. Të mbështetur edhe nga rrjeti i OJQ-ve Avonet, ata kërkuan që punimet të ndërpriten, derisa ankesa e tyre të marrë një epilog përfundimtar. Madje në shenjë proteste ata bllokuan edhe rrugën.

“Rrezikon jetën dhe vështirëson edhe frymëmarrjen edhe pengon depërtimin e vetë rrezeve të diellit në shtëpia”, tha Fekir Tahiri, banor i lagjes “Gëzim Sahiti”.

“Prokuroria është duke hetuar por mos neglizhenca e tyre dhe institucioneve e ka pruar që qytetarët të dalin në këtë protestë në këtë preformancë natyrisht deri sa nuk ka epilog përfundimtar ne do të jemi në rrugë dhe do ta kundërshtojmë çdo investim të investitorit”, tha Kenan Gashi, AVONET.

Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i investitorit, thotë se janë duke respektuar lejen. Ai ka bërë të ditur se disa banorë që sot protestojë kanë pasur një marrëveshje me investitorin. Për këtë çështje banorët e thonë versionin e tyre.

“I njëjti operator ka pasur marrëveshje edhe me dy shtëpi që tani që janë pjesë e protestës për të realizuar ndërtim. Kemi marrëveshje të shkruar. Por për shkak se një pronë mbrapa tyre ka dështua që ta jap pronën për ndërtim të lartë edhe këta janë kthyer në protestues por që në fakt të njëjtit kanë qenë të dakorduar për ndërtim të lartë”, tha Fitim Shabani, avokat i kompanisë investuese.

“Ndoshta është e mundur që mund të ketë pasur një marrëveshje interne. Por me kalimin e kohës ajo nuk është noterizuar çka është me më rëndësi dhe e dyta kur e kemi parë që është në kundërshtim me ligjin vetë ndërtimi dhe do të ketë pasoja më vonë atëherë ne kemi mbetur ai në punën e vet dhe ne në punën tonë”, deklaroi Fekir Tahri, banor i lagjes “Gëzim Sahit”.

Zyrtarë të Komunës të kontaktuar nga RTK vetëm kanë konfirmuar deklaratat e dhëna më herët se investitori ka plotësuar kushte dhe se leja është dhënë sipas ligjeve.

Kurse policia në orët e pasdites ka bërë tërheqjen e automjeteve, me të cilat ishte bllokuar rruga nga ana e banorëve.

Go to TOP