Kosova

Në dymbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, kryeministri e presidenti qëndrojnë larg njëri tjetrit

Në dymbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Albin Kurti kanë qëndruar larg njëri tjetrit.

Liderët e shtetit do të ju drejtohen sot në ceremoni të ndara ushtarëve të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, për nder të 12 vjetorit të pavarësisë.

As përvjetori i 12 i pavarësisë së Kosovës nuk arriti që t’i bashkojë rivalët politik, njëherëësh tre liderët e shtetit, Hashim Thaçin, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Derisa kryeministri Kurti dhe Kryeparlamnetarja Osmani kanë planifikuar që së bashku të zhvillojnë të gjitha aktivitetit, presidenti i vendit, do të zhvillojë aktivitetet për nder të kësaj dite i vetëm.

Të tre këta nuk do të ju drejtohen as FSK-së së bashku.

Fillimisht, është bërë e ditur se Osmani dhe Kurti do të vizitojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës, së bashku në ora 12:00.

Ndërkaq, Thaçi katër orë më vonë, do të ju drejtohet vetëm ushtarëve të FSK-së.

“Në orën 16:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, u drejtohet ushtarëve të FSK-së”, është bërë e ditur në agjendën e nisur nga presidenca.

Kujtojmë që vjet, liderët e shtetit, kishin mbajtur së bashku aktivitetet për nder të 11 vjetorit./GazetaExpress/