Kosova

Në Berlin nuk hiqet taksa e as vizat

Samiti i Berlinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Në kryeqendrën gjermane nuk gjeti përkrahje ideja e presidentit Hashim Thaçi për kufijtë, nuk është arritur pajtim për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, por nuk pati as sinjal për heqje të vizave nga Bashkimi Evropian.

Takimi i Berlinit, i mbajtur gjatë ditës së djeshme, ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Ndonëse në Samitin e Berlinit u diskutua rreth mundësisë së vazhdimit të negociatave mes dy vendeve, pala serbe ka ripërsëritur se nuk do të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa, kurse pala kosovare ka theksuar sërish qëndrimin e saj, duke thënë se nuk pranon kushtëzime nga Serbia.

Në takimin e 29 prillit 2019, ku morën pjesë liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk u dha kurrfarë sinjali se mund të ketë heqje të vizave për Kosovën. Përkundrazi kreu i shtetit, Hashim Thaçi, tha se çështja e liberalizimit u përball me një pozicion injorues në takim. Në anën tjetërdy krerët shtetërorë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, edhe në Berlin u shfaqën me deklarata të kundërta sa i përket çështjes së kufijve. Derisa presidenti pohoi se do të angazhohet për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën, shefi i ekzekutivit tha se nuk do të lejohet lëvizja e kufijve.

Ndërkohë nikoqirët e takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron u bënë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen për një zgjidhje e cila nuk i dëmton vendet e rajonit. Një takim i radhës ku do t’i bëjë bashkë sërish Kosovën e Serbinë pritet të mbahet në Paris të Francës më 1 korrik të këtij viti.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.