Bota

Në Afganistan vriten rreth 3400 civilë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan raportoi se 3404 civilë u vranë dhe 6989 të tjerë u plagosën në Afganistan gjatë vitit 2019.

Sipas raportit të publikuar nga Misioni Asistues i Kombeve të Bashkuara në Afganistan, viti 2019 ishte viti i gjashtë me radhë që shifra e përgjithshme e civilëve të vrarë dhe të plagosur e kalon shifrën prej 10 mijë personave.

Megjithatë, këta numra paraqesin rënie prej 5 për qind në krahasim me vitin 2018, kur kishte edhe më shumë civilë të vrarë e të plagosur, shkruan “Free Europe”, transmeton Kosova.info.

“Pothuajse asnjë civil në Afganistan nuk ka shpëtuar pa u prekur në një mënyrë apo në një tjetër nga dhuna e vazhdueshme”, thuhet në këtë raport.

Tadamichi Yamamoto, shef i misionit të OKB-së në Afganistan, tha: “Jeta e civilëve duhet të mbrohet dhe përpjekjet për paqe janë duke u zhvilluar.”

Ndryshe, të shtunën hyri në fuqi një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve për zvogëlimin e dhunës. Megjithatë, disa përleshje mes militantëve dhe forcave qeveritare u raportuan që në ditën e parë të paktit.