Kombëtare

Ndonëse e ndaluar me rregullore, në Gjilan mësuesit mbajnë kurse me pagesë për nxënësit e tyre

Që nga viti 2014 në Kuvendin Komunal të Gjilanit është e miratuar një rregullore mbi përgjegjësitë disiplinore për mësimdhënës.

Në këtë rregullore, si shkelje e rëndë cilësohet nëse mësuesit mbajnë kurse private me nxënësit, të cilëve u japin mësim në shkolla publike.

“Mbajtja e kurseve private, brenda dhe jashtë institucionit edukativo-arsimor me nxënës që mësimdhënësi i mëson, imponimi për blerjen e mjeteve, marrja e mitos nga nxënësit, prindërit apo nga të tjerët për përmirësim të notave…”

Megjithatë, kurse të tilla private vazhdojnë të mbahen në Gjilan.

Eren Murkaya, nxënës i shkollës së mesme, tregon se tërthorazi është detyruar nga një mësimdhënës i tij që të mbajë orë shtesë private për një notë më të mirë.

Megjithëse nuk dëshiron të përmend emrin e arsimtarit, thotë se ndjekja e atij kursi, ia ka rënduar gjendjen ekonomike familjes së tij.

Opozita në këtë komunë i quan këto kurse ilegale dhe ka kërkuar që Drejtoria e Arsimit t’i ndalojë ato.

Sipas tyre, gjithashtu po diskriminohen fëmijët që nuk kanë mundësi të paguajnë për orë shtesë, por ndjekin vetëm mësimin obligativ publik.

Por, drejtori që udhëheq me Arsimin në Komunën e Gjilanit, është arsyetuar se nuk e posedon rregulloren që është nxjerrë më 2014-n.

Ai thotë se i duhet që atë t’ia dërgojë sekretariati i Kuvendit të Komunës, kurse nuk e mohon që ka shumë raste që mësuesit i detyrojnë fëmijët të paguajnë për kurse private.

Neni 8 i Rregullores parasheh që në rast të shkeljeve nga mësimdhënësit, ata mund të suspendohen përkohësisht, të degradohen në pozitë, të transferohen në një shkollë tjetër brenda nivelit dhe jashtë nivelit edukativo-arsimor, si dhe t’u ndërpritet marrëdhënia e punës.

© 

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483