Kombëtare

Ndihmat pas tërmeteve në Shqipëri nisin me shifra të mëdha

Foto ilustrim

Shuma të mëdha parash kanë filluar të mblidhen për të dëmtuarit e tërmetit që ndodhi mëngjesin e së martës në Shqipëri.

Përveç ndihmave që qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës po i mbledhin në vazhdimësi për të prekurit e tërmetit, shuma të mëdha parash po dhurojnë edhe biznesmenë e krerë shtetëror nga të dyja vendet.

Presidenti i kompanisë Kastrati, Shefqet Kastrati, dhe familja e tij kanë vendosur që të dhurojnë 1.5 milionë euro për të dëmtuarit e tërmetit në Shqipëri.

Përmes një deklarate, prej nga ku është bërë e ditur dhurimi i kësaj shume, Kastrati ka thënë se përveç dhurimit të kësaj shume, ai ka dhënë urdhër që të mos merret asnjë lek në rrugën e kombit për personat të cilët dërgojnë ndihma në Shqipëri.

“E kam dhënë në çast urdhrin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë. Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak. Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka”, ka shkruar ai.

Ndërkaq edhe kompania “Gener 2” vendosi t’i përgjigjej thirrjes për ndihmë, në këto momente të vështira që po kalon vendi, si pasojë e goditjeve nga tërmeti.

“Me qëllimin për të lehtësuar sado pak dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve tanë, kompania ‘Gener 2’ ka marrë përsipër të ndërtojë 20 apartamente, në zonën e Thumanës, që rezulton edhe një nga më të goditurat nga tërmeti i 26 nëntorit. Kompania “Gener 2” do të ndërtojë këto 20 apartamente në kohën sa më të shkurtër, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe qendror, për t’ua dorëzuar ato më pas banorëve të Thumanës që kanë humbur shtëpitë e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se sot gjatë ditës edhe zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se do të dhurojë 1 milion euro për Shqipërinë pas prekjes nga tërmeti.

Poashtu në ditën kur ndodhi tërmeti Qeveria e Kosovës pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme vendosi që t’ia ndajë 500 mijë euro Shqipërisë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.