SPORT

Ndeshja e nesërme e barazhit, vendos për ekipet tradicionale

Në skuadrën e Trepçës ’89 janë të bindur se edhe edicionin e ardhshëm, do të garojnë në Superligën e Kosovës në futboll.

Trajneri i 89-shit, Veton Çitaku ka thënë se skuadra e tij ka kapacitet për ta mposhtur një skuadër të Ligës së Parë.

“Vëllaznimi është një skuadër me traditë dhe ka futbollistë cilësorë në ekip. Kemi zhvilluar dy ndeshje të Kupës dhe mendojë që jemi favorit për shkak se ekipi jonë ka zhvilluar ndeshje shumë cilësore në Superligë. Dallimi me Ligën e Parë është i madh. Besojë te futbollistët dhe jemi të përgatitur në çdo aspekt për fitore”, ka thënë Çitaku për “Sportin në KTV”.

Ekipi nga Mitrovica nuk do të llogarisë në dy lojtarët e larguar, Eltion Basriu dhe Ergys Mersini, derisa mungesa tjera nuk do të ketë. Mungesa nuk do të ketë as Vëllaznimi.

Por, te klubi gjakovar, shpresojnë të rikthehen në Superligë.

“Do të hyjmë në këtë ndeshje me motiv të madh dhe me shpresën për një lojë të mbarë. Do të jetë një ndeshje e mirë kundër një ekipi të mirë siç është Trepça ’89”, ka thënë mesfushori i Vëllaznimit, Labinot Jetullahu.

Ndeshja e barazhit ndërmjet Trepçës ’89 dhe Vëllaznimit do të zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.