Kosova

Ndërtimi i hidrocentraleve është pezulluar derisa të zgjatë pandemia

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë, të pezullohet vetëm për kohën sa zgjat pandemia, bëjnë të ditur të dielën burime të KOHËS nga Ekzekutivi.

Vendimi ka të bëjë me hidrocentralet që janë në proces e sipër të ndërtimit, pra për ato ka licenca.

Paralajmërimi se mund të ndalet ndërtimi i hidrocentraleve, disave të nisura vite më parë, ka nxitur reagimin e Shoqatës për Energji të Ripërtëritshme e Kosovës, që kishte kërkuar nga kryeministri, ministrat përkatës dhe zyrat e huaja në Kosovë që të marrin masa që kjo të mos kthehet në vendim.

Të dielën është marrë vendimi, por ka të bëjë vetëm për pezullim të punëve deri në përfundim të kësaj situate që po kalon vendi me Covid-19. Vendime të ngjashme janë marrë edhe për shumë prej bizneseve në Kosovë.

E burime të KOHËS nga Qeveria bëjnë të ditur se ndryshe qëndron situata me dhjetëra kërkesat e reja për ndërtime të hidrocentraleve në ujërat e Kosovës. Sipas burimeve, Qeveria po punon që ato të ndalohen.

Shoqëria civile, ambientalistët dhe vetë qytetarët kanë marrë nisma të shumta për ndalimin e hidrocentraleve. Në disa raste, si në Grykën e Rugovës, ia kanë dalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.