SHËNDETËSIA

Ndërtesa e dedikuar për Emergjencë do të adaptohet për pacientët me Covid, në dispozicion edhe 900 shtretër

Ndërtesa e dedikuar për Klinikën Emergjente shumë shpejtë do të shndërrohet në Klinikë për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Pos kësaj, ndihmë sistemit shëndetësor do t’i japin edhe pranimi i më shumë se dy mijë profesionistëve shëndetësor.

Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka folur edhe për kapacitetet që i ka QKUK-ja.

Ai tha se në rast të shtimit të rasteve pozitive, kanë 900 shtretër që mund t’i vejnë në dispozicion.

“Është një vendim i ministrisë së Shëndetësisë që ndërtesa e Klinikës Emergjente të adaptohet dhe të shfrytëzohet për pacientët me Covid. Këto procedura është duke i udhëhequr MSh-ja dhe janë duke u zhvilluar atje këto procedura. Nuk e dimë kur do ta kemi në dispozicion por pavarësisht kësaj ne kemi plane që për të gjithë pacientët që do të kenë nevojë për trajtim spitalor t’i pranojmë nëpër spitale”.

“Ne kemi afro 900 shtretër që mund të vejmë në dispozicion nëse paraqitet nevoja. Jemi duke punuar intensivisht edhe në projektet që tashmë janë hartuar, siç është shtrirja e oksigjenit qendror nëpër klinikat e caktuara në mënyrë që të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen të lëngshëm”.

Sipas tij, pranimi i 1 500 specializantëve do ta ndihmojë shumë sistemin shëndetësor. Ndihmë të madhe Krasniqi tha se do ta bëjnë edhe 500 infermierë që tashmë iu janë vazhduar kontrata edhe për tre muaj.

“Ju e dini se të enjten 1 500 specializantë tashmë do të jenë pjesë e sistemit shëndetësor dhe më herët përveç këtyre janë punësuar 200 profesionistë shëndetësor. Po ashtu janë duke nënshkruar kontrata me mbi 350 profesionistë shëndetësor, pra në total ne do t’i kemi mbi 2 mijë profesionistë shëndetësor dhe kjo do ta lehtësojë sado pak menaxhimin e resurseve humane, pra të mjekëve dhe infermierëve”, tha ai.

Ndonëse në fillim të pandemisë shëndetësia nuk ka pasur asnjë mjekë apo infermierë rezervë, sipas tij, sot sistemi shëndetësor i ka më shumë se dy mijë profesionistë shëndetësor. 

“Nëse bëjmë një krahasim me muajt mars apo prill kur filloi pandemia, ne nuk kishim asnjë mjekë e as infermierë shtesë për Covid. Pra e filluar pandeminë me numrin që e kemi pasur më herët të të punësuarve dhe tashmë pas shtatë muajve do t’i kemi 2 mijë profesionistë më tepër në sistem shëndetësor dhe kjo është lajm i mirë”, tha Krasniqi.

“100 infermierë që janë punësuar përmes mbështetjes së Bankës Botërore dhe në ditët në vijim do t’i bashkohen Klinikave, në radhë të parë atyre që trajtohen pacientët me Covid dhe kemi prioritet Klinikën Infektive, Mjekimin Intensiv Qendror, Pulmologjinë dhe Emergjencën. Do të shohim nëse ka nevojë për klinika tjera por që do t’i forcojmë fillimisht këto klinika që i përmenda”, tha ai.