KULTURË

Nderohet figura e doajenit Ismet Peja

Sot ndërroi jetë doajeni Ismet Peja.

Në moshën 83-vjeçare ka ndërruar jetë ikona e muzikës shqipe, Ismet Peja.

Gjithë karrierën në muzikë, dashurinë e madhe për këngën dhe sukseset e arritura nëpërmjet saj, Peja i braktisi përgjithmonë sot.

Ai lindi në Gjakovë në Prill të vitit 1937 dhe që nga fillimet e para të karrierës muzikore njihej si një njeri tejet i përkushtuar i cili me zërin e tij arriti të futet në zemrat e publikut.

Lajmi për vdekjen e tij i ka prekur të gjithë. Figura të njohura publike e kanë nderuar doajenin Ismet Peja duke bërë homazhe ka bërë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e ikonës muzikore shqiptare por edhe nëpërmjet postimeve të ndryshme në rrjete sociale si Facebook dhe Instagram.

Udhëheqësit politikë shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ismet Pejës:

“Robi s`plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë”. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë. Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik. Këngët e tij do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm! Lamtumirë mjeshtër i këngës. T`u dëgjoftë zani përherë!”, u shpreh ushtruesja në detyrë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Këngëtari Ismet Peja ka hyrë në historinë artistike të Kosovës. Ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij, sot vërtet është ditë e dhimbshme për familjen e komunitetin artistik. Por ne do ta kujtojmë gjithmonë më këngët e tij”,  tha Kryeministri Hoti.

“Në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare qenka shuar sot mjeshtri gjakovar i muzikës popullore, Ismet Peja.Bir i një këngëtari, Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë, duke kontribuar edhe vetë, me këngë të reja në traditën e vjetër. Interpretimet e tij muzikore ishin të rëndësishme, ruanin pjesë të rrënjëve tona, na kujtonin lidhjet e ngushta të Gjakovës, jo vetëm me Prizrenin e Pejën, por edhe me Beratin, Elbasanin e Shkodrën, kontribuonin në ndërtimin e vazhdueshëm të bashkësisë sonë kombëtare, ndërtim i cili kurrë nuk ndalet.Dëshiroj të ngushëlloj familjarët e Ismet Pejës, shokët e kolegët e tij të Shoqërisë Muzikore “Hajdar Dushi”, si dhe gjerësisht muzikantët dhe adhuruesit e muzikës popullore shqiptare për humbjen e këtij fisniku të madh të këngës.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Sot, herët në mëngjes zëri legjendar i muzikës shqiptare, Ismet Peja ndërroi jetë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve! Lus Zotin që të ketë mëshirë për të ndjerin dhe ta shpërblejë me Xhenet”, ka shkruar ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

“U rritëm me këngët tuaja, e zëri yt do mbetet i pavdekshëm ndër shekuj. Lamtumirë baca Ismet. U prehsh në paqe!”, ka shkruar ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Artistët shqiptarë po ashtu kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e ikonës së muzikës shqipe, Ismet Peja:

“Lamtumire artist i popullit, po kenget e tua nuk do te vdesin kurr!”, ka shkruar këngëtarja e njohur shqiptare, Shyhrete Behuli.

“Lamtumire legjende….”, u shpreh Shkëlzen Jetishi-Xeni.

“Lamtumire artist i kombit tone,ike o baca ISMET por ti do te jesh perhere mes nesh me kenget tua!
Qofsh i parajses❤️”, ka shkruar këngëtarja Remzie Osmani.