EKONOMI

Ndërmarrja në krizë shpall sërish tenderin afro gjysmë milioni euro

Tender afër gjysmë milioni për blerjen e produkteve nga një prodhues specifik, siç është Microsoft, ka shpallur ndërmarrja publike, Posta e Kosovës, dhjetë ditë më parë.

Edhe pse në gjendje të vështirë financiare, ky institucion parasheh që për tre vjet të pajiset me produkte të licencuara nga ky prodhues, ndonëse për disa produkte mund të kalojë në alternativa të tjera me kod burimor të hapur, që janë pa pagesë, shkruan sot Koha Ditore.

Por, sipas Postës, të gjitha projektet dhe afarizmin i ka të zhvilluar dhe vazhdon t’i zhvillojë në platformën e produkteve të Microsoftit në kuptimin e teknologjisë së informacionit (sistemin operativ të serverëve dhe të PC, bazën e të dhënave, aplikacionet Office, backup, app të sigurisë, …). Prandaj, sipas saj, për shfrytëzimin e tyre në mënyrë legale duhet t’i posedojmë licencat përkatëse të atyre produkteve nga prodhuesi.

Tenderi për këtë investim është shpallur më 11 dhjetor të këtij viti. Por, ky tender brenda dhjetë ditësh është anuluar dhe rishpallur sërish.

Shkak për këtë, sipas Postës, është se kishte aplikuar vetëm një operator ekonomik dhe se vlera e ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit ka tejkaluar shumën e paraparë për tre vjet. Ritenderimi, sipas Postës, është i domosdoshëm pasi më 31 dhjetor skadojnë licencat aktuale që i posedon.

Në tender, mes të tjerash, kërkohet që pagesa nga ana e Postës për këto produkte të bëhet për çdo muaj.

“Autoriteti Kontraktues (AK), përkatësisht komisioni konstaton se oferta e vetme e pranuar nga operatori ekonomik ‘Cacttus’ është me çmim që e tejkalon buxhetin e paraparë, sepse AK – Posta e Kosovës sh.a. ka planifikuar buxhet për Kontratë-Kornizë për tre vjet në vlerë prej 450 mijë eurosh, kurse kemi pranuar ofertën nga ju (OE “Cacttus”) vetëm për një vit në vlerë prej 159.303.23 eurosh dhe kur e kemi kalkuluar këtë vlerë me tre vjet, na del që oferta e juaj e tejkalon buxhetin e paraparë”, thuhet në njoftimin e Postës për anulim.

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//cdrvrs.com/4/3473483