Kosova

“Ndarja e Kosovës, strategji e Vuçiqit”

Ndarja e Kosovës është i vetmi opsion që ka Beogradi për më shumë se tri dekada, ka thënë Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, teksa e ka komentuar për gazetën serbe “Danas” deklaratën e kohëmëparshme të presidentit serb se “ndarjen apo shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e ka dëgjuar prej medieve”.

Ndërkohë, analisti Dushan Janjiq i ka thënë kësaj gazete se “Vuçiqi vetë e kishte përmendur idenë e korrigjimit të kufijve gjatë 2017-s dhe 2018-s. Kjo gjë kishte shkaktuar konflikt të brendshëm në Serbi, midis Vuçiqit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile”.

Biserko po ashtu ka thënë se Marrëveshja e Brukselit kishte stagnuar në momentin e interpretimit rreth Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Beogradi atë e interpretonte si status të ngjashëm me atë të Republikës Serbe të Bosnjës, raporton KOHA.

“Presidenti Vuçiq në qershor të vitit të kaluar pati deklaruar: ‘Unë jam për korrigjim kufijsh dhe nuk turpërohem për këtë gjë, por serbët janë kundër dhe unë e kuptoj porosinë e popullit. Ne s’jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën rreth Kosovës edhe atëherë kur të gjithë e dijnë’”, kujton Biserko deklaratën e presidentit serb.

Ajo po ashtu vlerëson se muajt në vijim do të jenë vendimtarë rreth planit për shkëmbim territoresh.

“Po flitet rreth planit për ndarjen e Kosovës. Burime nga Washingtoni pohojnë se për ndarje është folur edhe gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiqit në Washington, në shkurt. Muajt në vijim do të jenë vendimtarë kur është në pyetje ky plan. Shumëçka varet prej pozicionimit të BE-së, para se gjithash Gjermanisë dhe Francës”, ka thënë ajo.

Janjiq po ashtu ka përkujtuar se Vuçiqi ka qenë përkrahës i shkëmbimit të territoreve, por se nuk ka qenë mjaftueshëm i qartë.

“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk duhet që të gjithë të fitojnë të gjitha, e Serbia asgjë”, ka thënë ai.