SPORT

Ndalohen nokautet, nuk shpallet fituesi – rregullat e pazakonta në meçin mes Mike Tyson dhe Roy Jones

Mike Tyson dhe Roy Jones Jr e kanë të ndaluar që ta nokautojnë njëri tjetrin në duelin rikthyes të të shtunës mbrëma.

Legjendat e boksit që janë 54 dhe 51 vjeç, do të hyjnë sërish në ring në datën 28 nëntor, mirëpo nën disa rregulla të tjera.

Jashtë ringut nuk do të ketë gjyqtarë, ashtu që nuk do të shpallet fituesi i meçit që do të zgjatë tetë raunde nga dy minuta.

(Foto: Instagram/miketyson)

Tyson dhe Jones nuk do të mbajnë mbrojtëse për kokën, por do të mbajnë dorëza më të mëdha se ato që përdoren zakonisht në boksin elitar.Nëse ndonjëri prej tyre pëson ndonjë çarje, dueli ndërpritet menjëherë – transmeton Sky Sports. Po ashtu, para meçit duhet të nënshkruajnë me Agjencinë Vullnetare Anti-Doping.

(Foto: Instagram/royjonesjrofficial)

“Nëse vjen puna për kafshim, do të kafshojmë. Çfarëdo që duhet të ndodhë, do të ndodhë, kështu është. Ai është akoma Mike Tyson, akoma është një prej njerëzve më të fortë, më eksploziv që ka shkelur në një ring boksi”, ka thënë Jones Jr për Sky Sports.

I pakënaqur me rregullat e vendosura nga Komisioni i Kalifornisë është shprehur edhe presidenti i UFC-së, Dana White: “Nuk ka nokaute? Nuk lejohen ta nokautojnë njëri-tjetrin? Si mund ta zbatoni këtë?”.