Kosova

Nagavci: Do të ketë protestë

Nënkryetarja e Kuvendit, deputete e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, thotë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të parë veprimet e ardhshme që do të ndërmarrin, porse, ka konfirmuar se do të ketë protesta. 

“Veprimet do të jenë të gjitha mjetet demokratike, pra hapa demokratik. Do të shohim çka do të ndodhë tutje. Të shohim kur të dalë aktgjykimi i plotë i kushtetueses e seanca në Kuvend për votimin e qeverisë së re. Nuk e kemi parë marrëveshjen me Listën Serbe nga ata që po synojnë krijimin e qeverisë së re, e me të tjerat parti po”, tha Nagavci në Interaktiv.

Sipas Nagavcit, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka shkuar kërkesa për seancë.

Nagavci, tha se qytetarët do të njoftohen edhe për aktivitetet që do të ndërmerren.

Tentimi për të bllokuar seancën e Kuvendit, sipas Nagavcit, “njëherë nuk është opsion”, porse ka shtuar se ‘do të ndërmerren veprime demokratike’.

Nagavci gjithashtu tha se qytetarët janë të interesuar edhe për protesta.

“Patëm edhe dy test protesta. Do të jemi të kujdesshëm dhe besoj se do të kemi protestë. Sigurisht, është kërkesë e qytetarëve dhe do të ketë protestë. Qytetarët janë të mllefosur me atë që po ndodh”, u shpreh ajo.

Nagavci: Me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses ka humbur vlera e zgjedhjeve

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit, ka thënë se pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, zgjedhjet kanë humbur vlerën e tyre.

Nagavci që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, e ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se tash e tutje në zgjedhje do të garohet se kush do të jetë subjekti më i vogël. Teksa tha këtë, ajo mendoi për të drejtën që sipas saj i takon VV-së si parti fituese të formoi qeverinë, e të cilën të drejtë tash Kushtetuesja nuk ia dha pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me mocion mosbesimi.

“Çfarë kuptimi ka të mbahen zgjedhjet, gara tash e tutje do të jetë që kush të jetë subjekti më i vogël. Çfarë kuptimi ka t’i fitosh zgjedhjet dhe pas 2 muajve humbësit bëhen bashkë dhe rrëzojnë një Qeveri, është përmbysje e rendit demokratik. Kjo i bie, u themi qytetarëve ‘na votoni dhe prej momentit që futemi në Kuvend, më nuk iu pyesim’, kjo bën që të gjitha pazaret të bëhen në tavolinë. Duhet të mbajmë përgjegjësi për premtimet që japim, për veprimet që bëjmë dhe të mbajmë fjalën e dhënë gjatë fushatës”, ka thënë Nagavci.

Ajo akuzoi partitë tjera se kanë bashkërenduar planet për të rrëzuar një Qeveri që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ka qenë një praktike që të paktën të vlerësohet puna pas 100 ditësh, por as kjo nuk iu lejua, madje u bën bashkë në kohë pandemie, kemi raste në Evropë kur të gjithë u bënë bashkë, kishte mocione të mosbesimit, por vazhduan t’u besojnë atyre qeverive dhe i kthyen. Këtu te ne humbësit u bashkërenditën me presidentin, ai i dërgoi pesë letra dhe në fund erdhi te konstatimi se ka refuzuar të drejtën, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.