SPORT

Nadal eliminohet nga Australian Open

Rafael Nadal do t’i vuajë mundësitë që i humbi gjatë disfatës në katër sete, 6-7 (3-7) 6-7 (4-7) 6-4 6-7 (6-8), kundër Dominic Thiem, në çerekfinale të Australian Open.

Tenisti numër një i botës pati mundësi të servojë për setin e parë dhe pastaj ishte duke shkuar drejt fitores në setin e dytë, para se t’i humbte të dyja këto kundër austriakut 26-vjeçar.

Nadal u kthye me më fuqi në setin e tretë dhe e fitoi atë, mirëpo Thiem e shfaqi gjendjen e tij të mirë fizike dhe fuqinë e goditjeve në setin e katërt, kur e mbylli ndeshjen si triumfues pas katër orëve e dhjetë minutave.

Kjo disfatë i jep fund tentimit të Nadalit për t’ia barazuar Roger Federerit rekordin prej 20 titujve të Grand Slams në Australi dhe e përkeqëson rekordin e spanjollit kundër Thiemit në 9-5.

Thiem tani do të përballet me gjermanin Alexander Zverev në gjysmëfinalen e dytë të premten, pasi Zverev triumfoi kundër Stan Wawrinkës 1-6 6-3 6-4 6-2 në katër sete më herët.

Gjysmëfinalja e parë do të mbahet të enjten në Rod Lavers Arena dhe do të jetë takimi i 50-të në karrierë mes Roger Federerit dhe Novak Djokovicit. 

Shfaq më shumë
//dooloust.net/4/3473483