SPORT

Mustafi refuzon kontratën e re, paralajmëron largimin nga Arsenali

Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi do të largohet nga skuadra e Arsenalit në fund të këtij edicioni, kur edhe i skadon kontrata me ekipin nga Londra.

Mediumet angleze kanë raportuar të hënën, se Mustafi ka refuzuar ofertën e Arsenalit për kontratën e re duke paralajmëruar klubin se do të largohet verën tjetër si futbollist i lirë. Mësohet se Arsenali i kishte ofruar Mustafit kontratë të re trevjeçare, por ai është i vendosur që edicionin e ardhshëm të jetë pjesë e ndonjë ekipi tjetër.

“Shkodran Mustafi dëshiron që karrierën ta vazhdojë diku tjetër. Ai së fundi ka refuzuar kontratën e re të klubit, duke paralajmëruar se do të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë”, ka shkruar “The Sun”.

Mustafi këtë edicion ka vetëm një paraqitje tek Arsenali. Të dielën u kthye nga lëndimi që e mbajti për disa muaj jashtë fushës.

Ai është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016 kur u transferua nga Valencia për 41 milionë euro. Së fundi, Mustafi ishte kërkuar nga Lazio e Napoli.