INTERVISTA

Mustafë Haziri kandidat për deputet nga NISMA: Do të jem zëri i qytetarëve

Kandidati i Nisma Social Demokrate për deputet, Mustafë Haziri, ka treguar arsyet pse i është futur garës për deputet dhe ka shpalosur planet për shërbim të Kosovës nëse ai fiton ulësen në Kuvend.

Në një intervistë për Kosova.info, Haziri si një profesor i cili ka qenë gjithmonë në shërbim të arsimit adekuat në Kosovë ka thënë se do të kërkojë reforma në arsim dhe rritjen e cilësisë në studime.

Ai ka premtuar se do të jetë zëri i qytetarëve të Mitrovicës, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale në qytetin e Mitrovicës.

Kosova.info: Kush është Mustafë Haziri që qytetarët ta votojnë për deputet?

Mustafë Haziri: Jam një qytetar nga Mitrovica, ku rreth 3 dekada kam dhënë kontribut në arsim si profesor në Gjimnazin “Frang Bardhi”, dhe mbi 6 vite si drejtor në Shkollën Fillore “Shaban Idrizi”, në Zhabar të Mitrovicës. Si studiues në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës, kam përfunduar masterin dhe disertacionin e doktoratës, me temën: “Miniera e Trepçës në Stan-tërg gjatë shekullit XX”, dhe kam të publikuara punime shkencore në revistat shkencore me impakt faktor brenda dhe jashtë vendit si: ShBA, Londër, Grac – Vjenë të Austrisë si dhe në regjion si në Sarajevë, Shkup, Tiranë, Ulqin, Durrës, Prishtinë e vende të tjera. Unë kërkoj votën dhe jam ballëhapur për kontributin e dhënë në Arsim.

Kosova.info: Pse e zgjodhët NISMA’në që të jeni në listën e saj për deputet?

Mustafë Haziri: Arsyeja është se lidershipi i Nismës është i vendosur, profesionalisht i përgatitur, është faktor stabiliteti dhe unifikues e i pranueshëm për të gjithë.

Kosova.info: Çfarë do të bësh për qytetarët nëse e fiton pozitën e deputetit?

Mustafë Haziri: Do të kërkoj reforma në Arsim, rritjen e cilësisë në studime dhe do të jem zëri i vërtetë i qytetarëve të Mitrovicës, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale në qytetin e Minatorëve.

Kosova.info: Çka të motivoi të hysh në garë për deputet?

Mustafë Haziri: Duke u nisur nga fakti se me politikë merren edhe njerëzit jo profesionalist, të padinjitetshëm dhe duke parë garën në mes të partive politike se cila më shumë po i mënjanon komunitetin intelektual mora forcë dhe guxim të ballafaqohem me këto probleme dhe besoj që kontributi im do të jetë modest.

Kosova.info: A mendoni se do të fitojë koalicioni NISMA-AKR-PD?

Mustafë Haziri: Besoj që koalicioni NISMA-AKR-PD, do të ketë një fitore spektakolare e cila do të jetë befasi për partitë tjera të vendit. Vizioni jonë për të ardhmen e Kosovës është në interes të shtet ndërtimit dhe shtet zhvillimit, prandaj motoja jonë është “BASHKË PËR SHTETIN”.

Kosova.info: Çka premtoni për fushën e arsimit nëse fiton pozitën e deputetit?

Mustafë Haziri: Arsimi do të jetë prioritet duke marrë parasysh se “Arsimi është shpirti i kombit”, shkruan Hasan Prishtina, ideologu dhe prijësi suprem i çështjes kombëtare. Në fund dëshiroj të përfundoj këtë intervistë me thënien e studiuesit të njohur, Branko Merxhan i cili thotë: “Një popull që nuk brengoset për fatin e vet, rrezikon të shuhet”.