KULTURË

Mustafaj kritikon bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në fushën e artit dhe kulturës

Ish-diplomati dhe shkrimtari shqiptar, Besnik Mustafaj, ka kritikuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës dhe artit.

Ai në “Express Intervista” të KTV-së thotë se dy qeveritë shqiptare kanë bërë shumë pak që të arrihet ky bashkëpunim.

Marrëveshjet e lidhura mes dy vendeve ai i ka quajtur sipërfaqësore, pasi që sipas tij, qeveritë nuk i financojnë marrëveshjet e lidhura.

“Kur është fjala për prodhimin kulturor, e shohim që është i dobët. Pa një program dhe pa një financim prapa, marrëveshjet që lidhen mes dy qeverive janë vetëm për t’u dukur në televizion. As Qeveria e Shqipërisë as e Kosovës nuk e çojnë deri në fund punën dhe nuk vënë pas mjete financiare”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Duke folur për ndikimin e politikës në letërsi, Mustafaj ka thënë se një gjë e tillë është shumë e rrallë mirëpo sipas tij, njerëzit e letërsisë i kanë kontribuar politikës.

“Është padyshim një iluzion sepse ndikimi i politikës në letërsi është i vogël mirëpo njerëzit e letërsisë kanë luajtur rol në politikë. Edhe figurat si Ndre Mjeda e Fan Noli kanë qenë pjesë e politikës. Ju pëlqen shkrimtarëve me thënë që janë politikanë të mirë, por shkrimtarët janë politikanë të këqij”, ka shtuar ai.

Mustafa ka kritikuar politikanët shqiptarë për mos-lexim. Ai thotë se në vendet tjera të botës, politikanët që nuk lexojnë nuk mund të marrin pushtetin, por sipas tij, një gjë e tillë në trevat shqiptare është e lehtë.

“Në Francë injorantët nuk kanë mundësi të fitojnë zgjedhje sepse duhet të lexojnë shumë libra, por në shoqërinë shqiptare politikanët që njoh unë, me shumë pak përjashtime, nuk lexojnë libra. Po të lexonin, sidomos romane politike, atë do ta kishin si pasqyrë për të parë gabimet e veta”, tha ai në “Express Intervista” të KTV-së.