Kosova

Mustafa: Të papranueshme për çdo mendje civilizuese në Kosovë, ofendimet e Tomë Gashit ndaj Melihate Tërmkollit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ofendimi që i është bërë gjatë një debati televiziv anëtares së Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, nga avokati Tomë Gashi është i papranueshëm.

Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se “Lidhja Demokratike e Kosovës është treguar gjithherë e hapur për pjesëmarrje në debate për tema të ndryshme”.

“Njerëzit e LDK-së shpesh janë penguar të thonë mendimin e tyre, nga përfaqësues të disa subjekteve politike por edhe nga disa individ që merren si analistë politik, mirë të paguar dhe të instruktuar nga mediume të ndryshme”, shprehet Mustafa.

“Pengesat që mbrëmë iu bënë në një emision televiziv znj Melihate Termkolli, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që ta shpreh mendimin e saj dhe ofendimet që pasuan ndaj saj nga avokati Tomë Gashi janë të papranueshme, jo vetëm për LDK-në por për çdo mendje civilizuese në Kosovë. Mediat kanë për obligim të mos krijojnë hapësirë për ofendime dhe skandale nga njerëz që nuk rreshtin të tregohen vulgarë dhe të shpërfaqen pa fije edukate dhe me mungesë të plotë përgjegjësie para opinionit publik”, shkruan ai.

Të enjtën mbrëma, në një debat televiziv ka eskaluar situata ndërmjet Melihate Tërmkollit dhe Tomë Gashit.

Derisa anëtarja e LDK-së fliste për Vetëvendosjen dhe qeverisjen e saj pas 6 tetorit, Gashi vazhdonte të ndërhynte duke thënë se Kosova s’ka nevojë të dialogojë me Serbinë dhe se pavarësia e Kosovës është vulosur edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dhe në këtë moment ka reaguar Tërmkolli duke i thënë Gashi se ai e kupton vetëm fjalën serbe “çuti” që do të thotë hesht.

“Çuti, se ti veç kështu kupton dhe e din mirë pse e kupton këtë”, i ka thënë Tërmkolli, Gashit. Pas kësaj, avokati Gashi i është drejtuar zonjës Tërmkolli me “Zoti Tërmkolli”. “Ani Zoti Tërmkolli”, tha ai, ndërsa Tërmkolli më nuk vazhdojë të fliste.

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/3382861345113412