Kosova

Mustafa: Rugova nuk arriti t’i shohë gjërat që i kishte ndërtuar vetë

Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur akademi përkujtimore.

Nën intonimin e flamurit ka filluar akademia përkujtimore në shenjë nderimi dhe përkujtimi për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se Kosova ka humbur njeriun e lirisë dhe pavarësisë.

Sipas Mustafës, ish-presidenti Rugova nuk arriti t’i shohë gjërat që i kishte ndërtuar vet.

“Në këtë përvjetor po kujtojmë me nderimet më të larta, kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidentin historik doktor Ibrahim Rugova. Humbëm njeriun e lirisë idesë se pavarësisë. Presidenti u nda nga kjo jetë dhe nuk arriti ta shoh pullazin e shtëpisë që vet e kishte ndërtuar”, ka thënë Mustafa.

Mustafa theksoi se Rugova u bë simbol i paqes dhe i rezistencës, siç tha ai, Rugova me çdo kusht punojë që Kosova të bëhet pjesë e Evropës dhe t’i gëzojë këto marrëdhënie që ka me shtetet mike.

“Rugova punojë për idenë e pavarësisë, si prijës ishte i veçantë. Ai kundërshtoi propagandën serbe. U bë simbol i paqes dhe i dashurisë që gjithmonë ishte sunduar nga armë zjarri e terrori. U bë simbol i rezistencës, me çdo kusht provoj se Kosova i përket Evropës. I krijoj Kosovës shumë miq që patën ndikim, me ShBA dhe shtetet tjera mike”, ka thënë Mustafa.

Ndër të tjera, Mustafa tha se LDK-ja është parti edhe tani siç ka qenë në kohën sa ishte gjallë Rugova dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë.

“Kosova meriton të bëhet vend i zhvilluar ekonomikisht dhe të jetë i dashur për qytetarët e saj. Rugova shkruante për pasuritë tona natyrore vlera që japin vulën këtij vendi dhe ia shtojnë identitetin këtij populli. Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën”, u shpreh Mustafa.