Kosova

Mustafa reagon për vrasjen e 9-vjeçarit rom: Duhet të na vrasë ndërgjegjja të gjithëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se rasti i vrasjes dhe përdhunimit të fëmijës 9 vjeçar vështirë se po depërton në ndërgjegjen e shoqërisë. Ai madje shkroi se sikur ky fëmijë të ishte i ndonjë qeveritari apo të ishte shqiptar ose serb, reagimet do të ishin më të mëdha. Ai lavdëroi punën e mediave në trajtimin e këtij rasti, edhe pse institucionet po heshtin.

Mustafa tha se ky rast vështirë se po depërton në ndërgjegjen e shoqërisë, e madje aq më pak në përgjegjësinë shtetërore.

“Një fëmijë 9 vjeçar i dhunuar, i komunitetit rom në Fushë Kosovë , dhe i mbytur, po mundohet të bëhet lajm nga mediat tona. Por s’di sa po arrihet. Një vrasje monstruoze e një qenie njerëzore, e një qytetari të pafajshëm e të varfër që bukën e siguronte nga mbledhja e kanaqeve, vështirë se po depërton në ndërgjegjen tonë shoqërore, e më së paku në përgjegjësinë shtetërore.” shkroi kreu i LDK-së.

Ai madje akuzoi se nuk ka gjë më të rëndë sesa përdhunimi dhe vrasja makabre e një fëmije të pafajshëm, duke shtruar pyetjen “sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmi i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori”.

Ish-kryeministri madje tha se sikur fëmija të ishte shqiptar, reagimet do të ishin më të mëdha, e madje edhe më të mëdha do të ishin reagimet sikur ai të ishte serb.

“Po të ishte fëmi shqiptar? E lere, po te ishte serb, që do të kumbonin këmbanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare” shkroi Mustafa.

Mustafa ka lënë të kuptohet se rasti po neglizhohet vetëm për faktin se ky fëmijë i përket komunitetit rom, e ishte i pambrojtur, duke shtuar se “… nuk mund të arsyetohet neglizhenca e policisë, e prokurorisë dhe e zyrtarëve të tjerë që nuk kanë ndërmarrë masa për ta mbrojtur një qytetar të pambrojtur të këtij vendi. Edhe ata janë përgjegjës”

Mustafa në fund ka përgëzuar mediat për qasjen e tyre profesionale në trajtimin e këtij rasti, dhe për ta zbardhur të vërtetën. E që sipas tij “po të mos ishin mediat, sa për të tjerët, për ti ikur përgjegjësisë ishte konstatuar, vetëm, se një fëmi u gjet i vdekur te do shkallë në rrethana të panjohura. Dhe pikë”.

Ai kritikoi shoqërinë civile dhe shtetin, duke shtuar se duhet t’i vret ndërgjegjja dhe nuk duhet të sillen në mënyrë indiferente për përdhunimin dhe vrasjes së fëmijëve të vet.