Kosova

Mustafa: Qeveria Hoti nuk është qeveri tranzicioni, do e përfundojë mandatin

Kryetari i LDK -së Isa Mustafa thotë se Kosova nesër do të bëhet me qeveri të re e cila do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

“Unë jam shumë i bindur se votat janë. Janë votat e LDK’së dhe partnerëve të tjerë të koalicionit prandaj pres që nesër ta kemi qeverinë e re’, tha Mustafa në konferencë për media ku u prezantuan emrat e kandidatëve për ministra nga kjo parti.

“Ne do ta kemi nesër Avdullah Hotin kryeministër të Kosovës”, theksoi ai Mustafa.

Mustafa thotë se qeveria e re po formohet në bazë të Kushtetutës dhe si e tillë do e ketë mandatin e plotë.

“Ne po punojmë që Kosova të ketë qeveri të re dhe kjo qeveri e re do të jetë qeveri e cila do të punojë me pritje për mandatin e plotë. Në qoftë se subjektet politike në Kuvend dhe LDK në vazhdim të punës së kësaj qeverie sheh një interes tjetër të vendit ne mund të bisedojmë me partnerët, edhe të koalicionit dhe subjektet e tjera politike në parlament. Por ne nuk e konsiderojmë këtë si qeveri të tranzicionit por si qeveri me mandat të plotë e cila i merr detyrat në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha i pari i LDK’së.

Seanca për votimin e qeverisë Hoti është caktuar për të mërkurën në orën 11:00.