Kosova

Mustafa: Mund të pimë kafe me Kurtin, por jo t’i ndajmë postet menjëherë

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka paralajmëruar sot një takim ‘sa më të shpejtë’ me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, për të folur ‘për ndarjen e detyrave, përgjegjësive dhe pozitave’ në qeverisjen e ardhshme mes tyre. Ndërkohë në një intervistë për ekonomiaonline, Mustafa ka thënë se pa u certifikuar zgjedhjet nga KQZ’ja, s’do të ketë marrëveshje e as ndarje postesh.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bashkëqeverisje, pa ndodh certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Mustafa në një intervistë për EkonomiaOnline, ka folur për punën e grupeve punuese të dy partive për harmonizimin e programit qeverisësë.

Ai ka thënë se janë pajtuar në shumicën e temave, por që kanë mbetur edhe disa tema të hapura të cilat do të përmbyllën ndërmjet dy liderëve politikë.

Ndër to edhe ndarjet e ministrive dhe përgjegjësive të tjera.

“Kanë mbetur të hapura çështjet e dialogut që nuk janë diskutuar në këto nivele që duhet të diskutohen në nivel të liderëve politikë të LDK-së dhe VV-së. Ka mbetur çështja e marrëdhënieve me jashtë, që po ashtu korrespondon edhe me dialogun, por edhe me orientimet tona eurointegruese dhe euroatlantike. Ka mbetur çështja e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme, që nuk janë diskutuar në këto nivele por do t’i diskutojmë në nivelin më të lartë në mënyrë që qeveria të jetë e suksesshme. Unë tash po flas për një koalicion të mundshëm, nuk mund të flas për një koalicion të kryer, sepse ne jemi në fazën e dialogut dhe të bisedimeve, por për atë duhet të marrim vendim se a pajtohemi për të gjitha çështjet’, thotë ai.

I pari i LDK-së, ka thënë se po të shonin gjërat mirë, marrëveshja me VV-në do të ndodhte brenda javës, por vendimi i PZAP-së për të rinumëruar 1472 vendvotimeve do të ndikojë që kjo marrëveshje pa vullnetin e tyre të shtyhet për disa jave.

Mustafa shtoi se me Kurtin mund të takohet për kafe, por jo edhe për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15 ditë ose 20 ditë, sepse deri atëherë nuk e dimë përfundimisht sa deputetë do t’i ketë LDK-ja, sa do t’i ketë VV-ja dhe si do ta konstituojmë një marrëveshje të ardhshme të koalicionit. Ne mund të takohemi me pi kafe, por s’mund të takohemi të bëjmë marrëveshje, sepse gjërat nuk kanë përfunduar. Unë e shoh që është një presion nga publiku herë do të na fajëson neve herë VV-në, në të vërtetë nuk ka të drejtë askush të na fajësojë sepse ne po e bëjmë punën tonë sa i përket harmonizimeve të programit qeverisës, por marrëveshje nuk mundtë bëjmë pa certifikim të rezultateve”, ka thënë ai.