Kosova

Mustafa: Deri në fund të javës caktohet data e mbajtjes së kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së

Kryetari në detyrë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se deri në fund të kësaj jave do të caktohet data për mbajtjen e kuvendit të kësaj partie nga ku do të dalë shefi i ri i partisë.

“Deri në fund të javës do të caktohet data e mbajtjes së Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së”, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.

I pyetur rreth kandidaturës së Anton Qunit dhe emrave të tjerë të përfolur për të partin e LDK-së, Mustafa ka thënë procesi është i hapur për të gjithë pretendentët.

“Procesi është i hapur për pretendentët dhe për propozime në Kuvend”.

Ndërkohë sa u përket akuzave të bëra drejt tij se po dëshiron që të imponojë emrin që do ta pasojë në karrigen e të parit të LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kryetarin e ri e zgjedh Kuvendi i LDK-së.

Dorëheqja e Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të LDK-së erdhi si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit ku partia e tij ka performuar më së keqi në historinë e saj që nga themelimi.

Me Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër, LDK-ja ka marrë pak më shumë se 100 mijë vota, duke shënuar rënie prej 50 %, krahasuar me zgjedhjet e tetorit 2019.