SPORT

Muriqi: Vazhdojmë për ta bërë ëndrrën realitet

Vedat Muriqi ndihet mjaft i lumtur për fitoren ndaj Malit të Zi, në të cilën kontribuoi me gol. Sulmuesi i rrezikshëm thotë se ai me shokë duan të vazhdojnë për ta bërë ëndrrën realitet

Vedat Muriqi ka qenë përsëri protagonist tek Përfaqësuesja e Kosovës.

Sulmuesi i rrezikshëm ka shënuar gol në fitoren 2:0 ndaj Malit të Zi mbrëmë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Njëherësh, prizrenasi shënoi në ndeshjen e tij të tretë radhazi në këto eliminatore, pas atyre ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.

Dhe, futbollisti i Fenerbahçes beson se Kosova mund të kualifikohet në Euro 2020, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur, ndaj çekëve dhe anglezëve, në muajin nëntor.

“Vazhdojmë për ta bërë ëndrrën realitet”, ka shkruar Muriqi në rrjetet sociale, duke besuar se ai me shokë do ta bëjnë ëndrrën e kualifikimit në realitet.

Kosova aktualisht është e treta në Grupin A me 11 pikë, një më pak se Republika Çeke, e cila e zë vendin e dytë.

Siç dihet, vendi i parë dhe i dytë i çdo grupi kualifikohet në Kampionat Evropian.