Kosova

Murati: Leni kushtëzimet e t’ia fillojmë punës, presidenti zgjidhet më 2021

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kërkuar që të hiqet dorë nga kushtëzimet në bisedime për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai në një postim në Facebook thotë se qeveria e re është dashur të formohet para dhjetë ditësh, por për shkak të mos pajtimeve për postin e presidentit një gjë e tillë nuk ka lejuar arritjen e marrëveshjes.

“Po hyjmë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar. Që 10 ditë është dashtë tashmë me e pasë Qeverinë e re dhe me fillu zgjidhjen e problemeve të shumta e emergjente që na presin”, ka thënë Murati.

“Por në vend të kësaj, na është imponuar një problem, i paqenë, që pengon formimin e Qeverisë – përcaktimi për postin e Presidentit, diçka që ndodh tek në vitin 2021. Leni kushtëzimet, e t’ia fillojmë punës!”, ka shtuar më tej ai.

Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë arritur pajtim 100 për qind për programin qeverisës, e kur pritej që të hënën që shkoi të nënshkruhej marrëveshja, palët nuk janë marrë vesh për ndarjen e hises në pushtet.

LDK-ja do postin e presidentit, të kryeparlamentarit dhe 5 ministri, derisa eksponentë të saj kanë thënë se nëse VV-së i duket shumë kjo le të heqë dorë nga posti i kryeministrit e të marrë atë të presidentit e kryekuvendarit.