SPORT

Munishi: Skuadrat tjera ëndërrojnë të përballen me ne

Lideri i Superligës, Ballkani takohet me Feronikelin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Shorti për fazën gjysmëfinale është tërhequr të martën në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ballkani është vendas në ndeshjen e parë që luhet më 8 prill. Ndeshja e kthimit luhet më 22 prill në Drenas. Feronikeli është kampion në fuqi dhe po ashtu fitues në fuqi i Kupës së Kosovës.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi nuk ka komentuar shumë për ndeshjet gjysmëfinale. Por ka thënë se skuadrat tjera po ëndërrojnë të përballen me Ballkanin. Ky fakt e gëzon Munishin.

“Unë jam duke menduar për ndeshjen e ardhshme kampionale me Ferizajn. Ka kohë deri në prill për gjysmëfinale. Do të varet nga forma momentale e skuadrave. Feronikeli është kampion në fuqi dhe ka bërë shumë ndryshime. Do të shohim nëse ato ndryshime janë bërë për të mirë apo për të keq. Gjithsesi më vjen mirë që skuadrat tjera po ëndërrojnë të përballen me ne. Skuadrat si Prishtina për shembull. Kjo do të thotë se kemi arritur nivel fantastik”, ka thënë Munishi për Kohën Ditore.

Gjasat janë të mëdha që Ballkani në verë të luajë në skenën evropiane. Prinë në tabelë të Superligës, ndërsa është edhe në gjysmëfinale të Kupës. Kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës sigurojnë daljen në Evropë.