Kosova

Mungesa e vizitave, indikatori kyç i pozitës së vështirë në marrëdhëniet ndërkombëtare

Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj muajt e fundit kanë realizuar shumë pak vizita jashtë vendit, ndonëse vendi ka ngecje në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, pretendon të anëtarësohet në INTERPOL etj. Nga lajmet e publikuara në uebfaqet e tri institucioneve del se prej muajit nëntor 2018 e deri më tash në gjysmëmarsin e 2019-s liderët institucionalë kanë zhvilluar mesatarisht nga një vizitë në muaj.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se numri i vogël i vizitave të krerëve institucionalë jashtë vendit është indikatori kryesor i pozitës së vështirë të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht kjo është shenjë e suspendimit ose e ngrirjes së marrëdhënieve edhe me shtetet më mbështetëse, që po ndodh për shkak të dialogut Prishtinë – Beograd si angazhimi kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor dhe për shkak të mungesës së rezultateve në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ai.

Rrjedhimisht, Fetoshi ka konsideruar se vizitat e liderëve kosovarë jashtë vendit dhe vizitat e zyrtarëve të huaj në Kosovë janë tërësisht të lidhura me procesin e dialogut. Kjo sipas tij nënkupton mbivendosje të çdo procesi tjetër me rëndësi për zhvillimin e vendit.

“Në qoftë se procesi i dialogut mund ta mbajë peng zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor, atëherë Beogradi është kthyer në faktor përcaktues për të ardhmen e Kosovës. Kjo natyrisht se është shqetësuese dhe duhet ta alarmojë klasën politike, e cila në vend të përgjegjësisë po vazhdon me inate primitive dhe me kalkulim interesash grupore”, ka nënvizuar ai.  

Përveç mungesës së vizitave reciproke, sipas Fetoshit dialogu me Serbinë ka ndikuar negativisht edhe në frenimin e plotë të njohjeve të reja në drejtim të Kosovës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.