EKONOMI

Mullisët dhe Agjencia e Ushqimit me mospajtime rreth cilësisë së miellit

Përfaqësuesit e mullisëve të Kosovës shprehin shqetësimin se gruri i cili po importohet nga Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë kriteret për prodhim të miellit, respektivisht nuk i plotëson kriteret e cilësisë për konsum. Për këto dyshime ata thonë se kanë njoftuar autoritetet kompetente në Kosovë.

Në anën tjetër, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, thonë se dyshimet nuk qëndrojnë, pasi që gruri apo edhe mielli i importuar është i cilësisë së mirë.

Vite me radhë, Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht.

Që nga vendosja e taksës, importimi i grurit si lëndë e parë për prodhimin e miellit po sigurohet nga vendet tjera të rajonit, konkretisht nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, dyshon se gruri në Maqedoninë e Veriut është i rezervave të viteve të mëhershme, çka sipas tij, e bën atë të papërdorshëm për përpunim e miellit./

Ai thotë se ky produkti gjendet në tregun e Kosovës për shkak se gruri po përpunohet në Maqedoni dhe në Kosovë po hyn si miell.

“Ne kemi blerë, kemi importuar sasi të grurit për të cilën mund ta vërtetoj, ajo sasi është në rezervat tona, nuk është përpunuar sepse nuk bën të shfrytëzohet për miell”.

“Kam qenë vet akter i asaj ngjarje që gruri i rezervave në Maqedoni nuk i plotëson as minimalisht kriteret për miell. Dhe tashmë ai grurë është duke u përpunuar si miell në mullinjtë e Maqedonisë së Veriut dhe në tregun e Kosovës po hynë si produkt final, pra si miell”, thekson Zejnullahu.

Për këto dyshime të ngritura, Zejnullahu thotë se mullisët i kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse si dhe ato prodhuese, por sipas tij, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigjeje zyrtare.

“Kemi shprehur shqetësimin te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës e po ashtu shqetësimin edhe te furrtarët. Edhe ata e vërtetojnë se mielli është duke ardhur shumë i dobët. Ne nuk mund të vërtetojmë cilësinë pasi ne nuk bëjmë analiza për produkte. Por, kërkojmë nga AUVK-u që urgjentisht ta kontrollon cilësinë e këtij produkti”, tha Zejnullahu.

Por, ndryshe thonë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, thonë se kjo agjenci kontrollon të gjitha ngarkesat të cilat me kod doganor parashihen t’i nënshtrohen kontrollit të inspektoratit veterinar apo fitosanitar, varësisht nga origjina e produktit.

Sipas kësaj Agjencie, të gjitha ngarkesat me këtë produkt që kanë hyrë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, janë të sigurta.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë se në bazë të monitorimit të vazhdueshëm përmes analizave produktet që nuk janë me përmbajtje komform kërkesave ligjore, nuk kanë depërtuar në tregun e Kosovës.

“Të gjitha ngarkesat nga Maqedonia e Veriut vijnë të shoqëruara me dokumentacion adekuat që dëshmon se bimët apo produktet bimore janë të lira nga sëmundjet dhe dëmtuesit (gruri) apo dokumente mbi cilësinë dhe sigurinë ushqimore ( që është mielli)”, tha Thaçi.

“Kur ngarkesat janë të shoqëruara me dokumente përcjellëse dhe shteti eksportues garanton me dokumentacion se këto produkte i përmbushin kërkesat ligjore për treg të Kosovës, duke marrë parasysh se janë produkte bazë të konsumit, kërkesa e veçantë që ka Kosova për dallim nga vendet e rajonit, është pikërisht te produkti i miellit”, tha ai.

Për të vërtetuar dhe siguruar që vërtet produkti përmban atë që është deklaruar nga shteti eksportues, ai thotë se janë dërguar shumë mostra për analiza për parametra të caktuara, qoftë të grurit apo edhe të miellit.

“Ngarkesat me miell kanë qëndruar në Pika të Kontrollit Kufitar dhe vetëm atëherë kur është konstatuar edhe me raport të testimit se produkti i përmbush kërkesat e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, është lejuar importi. Në të kundërtën, ngarkesat janë refuzuar dhe janë kthyer në vend të origjinës”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importi i miellit për dy muajt e parë të këtij viti nga Maqedonia e Veriut në Kosovë ka arritur në mbi 340 mijë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2018, kjo shumë ka qenë rreth 3 mijë euro.