EKONOMI

MTI-ja i ndan 18 mijë euro ndërmarrjes që ka e bashkëpronar nipin e Limajt

Nga 10 ndërmarrje të vogla të cilat kishin fituar subvencione nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, para nga buxheti i shtetit ka marrë edhe një familjar i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Kjo ministri, e cila udhëhiqet nga bashkëpartiaku i Fatmir Limajt, Endrit Shala, vitin e kaluar, fonde në formë subvencioni i kishte dhënë edhe ndërmarrjes “Formon” SHPK, ku njëri nga bashkëpronarët e kësaj ndërmarrjeje është nipi i Fatmir Limajt, Arianit Zabërgja, raporton KTV.

Në listën e përfituesve të subvencioneve të cilat MTI-ja i kishte ndarë, “Formon” SHPK është përfituesja e katërt me radhë, e cila kishte marrë rreth 18 mijë euro.

Në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve, kjo ndërmarrje figuron se ka 6 aksionarë, derisa nipi i Limajt ka 9,5 % të aksioneve aty.

I kontaktuar nga KTV-ja, Arianit Zabërgja, djali i motrës së zëvendëskryeministrit në detyrë, Fatmir Limaj, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, derisa ndërmarrja “Formon”, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se këto para, në formë subvencioni, i kishin marrë gjatë kohës kur thirrja për aplikim ishte e hapur.

Kjo ndërmarrje, më tutje, ka thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, sikurse janë rritja e vendeve të punës, bashkëfinancimi në projekt, stimulimi i eksportit, etj.

“Kriteret të cilat ne, si kompani, i posedojmë dhe që i kemi shprehur në projekt-propozim dhe i kemi realizuar 100%, janë rritja e vendeve të reja të punës, bashkëfinancimi në projekt, stimulimi i eksportit, ngritja e kapaciteteve prodhuese. 18,464 euro apo 59% të shumës së subvencionimit për ndërmarrje mikro”, ka thënë ndërmarrja “Formon SH.P.K”.

Më tutje, në përgjigje, thuhet se paratë të cilat ishin fituar në formë subvencioni nga MTI-ja janë deleguar në ngritjen e kapaciteteve prodhuese të kësaj kompanie.

Derisa as kjo kompani nuk ka dhënë përgjigje nëse në përftimin e këtij subvencioni ka ndikuar fakti se njëri nga bashkëpronarët është familjar i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

“Paratë janë deleguar për ngritje të kapaciteteve prodhuese të kompanisë, duke krijuar mini-laboratorin e parë në Kosovë për prodhimin dhe testimin e pajisjeve elektronike”, ka thënë më tej “Formon SH.P.K”.

E përgjigje për këtë subvencion nuk ka dhënë as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

KTV-ja ka pritur katër ditë radhazi për sqarime nga kjo ministri, për mënyrën se si ishin dhënë këto para dhe për plotësimin e kritereve, por nuk ka marrë përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.