EKONOMI

MTI-ja e rikthen te vetja kontrollin e naftës, MF-ja e naftëtarët zihen në befasi

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e bindur në rimarrjen e kompetencave për kontrollin e cilësisë së naftës dhe derivateve të saj në kufi.

Madje, ministria ka finalizuar edhe udhëzimin administrativ, raporton KTV.

Përmes këtij udhëzimi, kontrolli i arit të zi kalon nga Dogana e Kosovës te trupat inspektuese që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie.

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, thotë se këtë po e bën me pëlqimin e Ministrisë e Financave.

Por, këtë e kanë mohuar në Ministrinë e Financave.

Përmes një përgjigjeje elektronike, kanë thënë se nuk janë në dijeni të udhëzimit dhe se kontrolli po bëhet në pajtim me ligjet në fuqi.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë vendim apo udhëzim ligjor nga MTI-ja se do të bëhet rikthimi i kompetencës në import për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe derivateve të saj nga Dogana e Kosovës te Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë. Për më shumë, Dogana është duke vazhduar punën e saj sipas Udhëzimit Administrativ 2017/01 të MTI-së për kontrollin dokumentar të konformitetit dhe marrjen e mostrave fizike në baza ditore nga 3-6 për qind, siç përcaktohet në Udhëzimin Administrativ”, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor në Zyrën për Komunikim me Publikun në MF.

Por, Shala e arsyeton marrjen e përgjegjësive me kapacitetet laboratorike, të cilat, sipas tij, nuk i posedon dogana.

Në dijeni nuk janë as në Shoqatën e Naftëtarëve.

Kryetari i shoqatës, Fadil Berjani, ka thënë se janë në pajtim të këtij ndryshimi pasi dogana nuk po arrin ta kontrollojë mjaftueshëm naftën.

Ari i zi është produkti i cili vit pas viti ka shënuar rritje në import.

Por i njëjti vazhdon të keqpërdoret dhe të jetë një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

Shfaq më shumë
//dooloust.net/4/3473483