SHËNDETËSIA

MSh-së i lejohet unifikimi dhe përcaktimi i çmimit të barnave

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) i ka lejuar Ministrisë së Shëndetësisë ta bëjë unifikimin dhe përcaktimin çmimeve të barnave në nivel të vendit.

AKK thotë të jetë kontaktuar nga ana e MSH-së për t’u njoftuar mbi draftin Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale për herë të parë në Kosovë.

Ky Autoritet thotë se pas marrjes se evidencave empirike dhe atyre praktike nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian rreth përcaktimit të çmimit të barnave në nivel të shitjes me shumicë dhe pakicë, gjithashtu duke e analizuar gjendjen faktike në Kosovë të tregut farmaceutik si nevojë e domosdoshme për të vendosur rend dhe mbikëqyrje rigoroze të këtij tregu, duke e konsideruar si të drejtë kushtetuese shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës, si dhe duke e klasifikuar këtë draft U.A si interes i përgjithshëm publik, sot ka marrë disa konkludime.

Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës thotë se mbështet draftin e Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale i cili thotë se synon një përmirësim të dukshëm në krahasim me “status quo-n” ekzistuese në këtë sektor.

“Draft – Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve për produkte dhe pajisje medicinale do të bëjë përcaktimin e tavaneve, unifikimin, si dhe rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale. Komisioni i Autoriteti Kosovar të Konkurrencës konsideron se në princip fiksimi i çmimeve është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës Nr. 03/L-229 si dhe nenet 101 dhe 106 të TFEU-së, nëse aplikohet nga ndërmarrjet dhe/ose nga qeveria/parlamenti nëpërmjet legjislacionit. Përjashtim nga zbatimi i rregullave të konkurrencës i jepet shërbimeve të interesit publik gjë që është e përshtatshme për qëllimin e këtij Draft – Udhëzimi Administrativ”, thotë AKK, raporton Koha.net.

Më tej, AKK thotë se rregullimi në sektorin farmaceutik përmes Udhëzimit Administrativ mund të ndikojë në konkurrencën që zhvillohet në treg.

“Në parim, dispozitat përkatëse mund të justifikohen nga këndvështrimi i qëllimeve të mbrojtjes shëndetësore (p.sh. sigurimi i një furnizimi të sigurt dhe me cilësi të lartë të produkteve medicinale në të gjithë Republikën e Kosovës). Megjithatë, kjo mund të justifikojë vetëm rregulloret/Udhëzimet e tilla që i shërbejnë këtij objektivi në mënyrë adekuate dhe në mënyrë proporcionale”, potencon Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Megjithatë, AKK thotë se ky Udhëzim Administrativ ka nevojë për disa përmirësime duke i marrë parasysh praktikat më të mira evropiane andaj, “Autoriteti Kosovar i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që t’i marrë në konsideratë këto praktika”:

Bazuar në praktikat më të mira evropiane, AKK thotë se vendosja e çmimeve fikse në produktet medicinale të cilat nuk kanë nevojë për përshkrim të mjekut, nuk duhet të fiksohen (të ashtuquajtura OTC), e po ashtu potencon se Ministria e Shëndetësisë duhet të aplikojë mekanizmat “Claw-Back” atëherë kur çmimet e medikamenteve të rimbursueshme ulen.

“Nëse ky udhëzim administrativ nuk e arrin qëllimin e synuar në sektorin farmaceutik, dhe çrregullon konkurrencën në një masë të konsiderueshme, atëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ex-post do të bëjë një hetim të tregut përkatës për të vlerësuar nëse fiksimi i çmimit ka pasur impakt në strukturën e tregut, aktivitetet e ndërmarrjeve dhe konsumatorëve në treg”, ka përfunduar AKK-ja.