Kosova

MSh-ja sqarohet për kontratat e infermierëve që u punësuan gjatë pandemisë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë një sqarim rreth kontratave të infermierëve që u punësuan gjatë pandemisë, e të cilat kanë protestuar sot.

Përmes komunikatës, thuhet se Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të këtij stafi, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.

MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim.

Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirr në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente.

Situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së, thuhet më tej në njoftim.