SPORT

MSh-ja e IKShP-ja pa vendim lidhur me vazhdimin e sportit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është duke shpresuar që Ministra e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) do ta aprovojnë kërkesën për t’ua mundësuar klubeve të rikthehen në stërvitje dhe në ndeshje gjatë këtij muaji. Por gjasat që MSH-ja dhe IKSHP-ja të aprovojnë kërkesën e FFK-së janë të vogla, meqë rastet e prekura me koronavirus kanë nisur të rriten sërish pas hapjes selektive të masave në fazën e parë, që u bë më 4 maj. MSH-ja dhe IKSHPK-ja të martën kanë mbajtur një takim, por nuk kanë marrë asnjë vendim. Kështu ka thënë zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, për gazetën. Ai ka shtuar se kërkesa e FFK-së është ende duke u trajtuar, por që nuk ka ndonjë vendim. Megjithatë, ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia që të shtyhet për një datë tjetër hapja selektive e fazës së dytë, e jo më 18 maj siç ishte paraparë.

Në FFK kanë thënë se janë në pritje të ndonjë vendimi përfundimtar të dy institucioneve shëndetësore vendimmarrëse gjatë kësaj kohe të koronavirusit.

“Nuk është marrë ende asnjë vendim për shtyrje të fazës së dytë, por nëse vazhdojnë të mos respektohen masat, atëherë mund të shtyhet hapja selektive e fazës së dytë. Kërkesa është duke u trajtuar dhe në momentin që të kemi rekomandimet nga Instituti, ne do t’i njoftojmë Federatën dhe Ministrinë”, ka thënë Hoti.

Edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, ka thënë se kërkesa e FFK-së është duke u trajtuar, por nuk ka ende ndonjë vendim.

“E kemi dërguar kërkesën e Federatës dhe jemi në pritje të Ministrisë që sigurisht se do të dërgojë ndonjë komunikatë. Si MKRS nuk kemi qenë pjesë e takimit të tyre, por në bisedën që kam pasur me ministrin Arben Vitia më është thënë se do ta trajtojnë me prioritet kërkesën. Por kam thënë se gjithnjë duke iu përmbajtur kushteve që kemi dhe ruajtjes së shëndetit të sportistëve. Nuk mund të them asgjë më shumë, sepse edhe ne jemi në pritje të vendimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka thënë Dumoshi për gazetën.

Në fakt, hapja selektive për aktivitetet sportive është paraparë të bëhet më 1 qershor, por në Federatën e Futbollit të Kosovës insistojnë se është periudhë e vonshme, meqë afati i fundit për përfundim të kampionatit nga UEFA është dhënë 20 korriku. UEFA, po ashtu, më herët ka caktuar 25 majin si datë të fundit për ligat që të dorëzojnë planet e detajuara se si planifikojnë të rifillojnë stinorin apo vendimin për anulim të stinorit.

Mirëpo krerët e shtëpisë evropiane të futbollit janë të gatshëm ta shtyjnë afatin nëse Premier Leagues së Anglisë i duhet më tepër kohë për planin e rifillimit, shkruan “Daily Mail”. Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, në një letër dërguar federatave muajin e kaluar, ka kërkuar që të dorëzohet plani i detajuar për rifillimin e kampionatit deri më 25 maj. Por “Projekti rifillimi” i Premier Leagues nuk ka bërë ndonjë hap të madh pas takimit të krerëve të klubeve të hënën dhe ka shqetësime se mund të humbet ky afat. Klubet angleze pritet të votojnë përfundimisht për rifillimin e kampionatit javën tjetër, ndërsa Qeveria britanike dje ka publikuar planin e lehtësimit të masave kufizuese, ku thuhet se sportet mund të rifillojnë nga 1 qershori, por pa shikues. UEFA është e vetëdijshme për këtë situatë dhe nuk mendon të bëjë presion shtesë, kështu që do ta shtyjë datën përfundimtare derisa të përgatitet plani.