SHËNDETËSIA

MSh i bart Odës së Mjekëve kompetencat për licencim, ri-licencim dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili i dorëzoi sot kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) Pleurat Sejdiu vendimin për bartjen e kompetencave për licencimin, ri-licencimin e profesionistëve shëndetësor vendor dhe edukimin e vazhdueshëm mjekësor nga MSh te OMK.

“Kjo është një ditë e shënuar e cila tregon se Oda e Mjekëve të Kosovës ka krijuar një dinamizëm të ri të punës dhe me trupat e saj do të jetë pjesë e reformës shëndetësore, duke u bërë bartëse e disa ndryshimeve të rëndësishme”, tha Ministri Ismaili.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë do ta vazhdojë me bartjen e kompetencave të tjera tek Oda e Mjekëve, prej të cilës pret një angazhim dinamik në funksion të reformës dhe ndryshimeve në shëndetësi, duke i bërë profesionistët pjesë aktive të këtij procesi, përmes fuqizimit të rolit të tyre, rritjes së transparencës dhe luftimit të deformiteteve të ndryshme në sektor.

Kryetari i Odës së MKosojekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se me bartjen e këtyre kompetencave, po hapet një faqe e re e bashkëpunimit dhe avancimit të rolit të mjekëve në sistemin shëndetësor falë një filozofie të re të një menaxhimi të ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrit aktual.

Ai tha se OMK do të jetë mbështetëse e ndryshimeve në shëndetësinë kosovare përmes ushtrimit me përgjegjësi të kompetencave të veta.

Në ceremoninë e bartjes së këtyre kompetencave, në mënyrë simbolike u ndanë edhe kartelat e para të anëtarësisë për anëtarë të Odës së Mjekëve, duke përfshirë disa mjekë të gjeneratave të vjetra, për mjeken më të re në data bazën e anëtarësisë së OMK-së, mjekë nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës, prezantoi zyrtarisht edhe ueb faqen e saj zyrtare. /Kosova.info/